Meqë deputeti Beqa me ton të lartë tha se mocioni nuk është i qartë, deputetja Haxhiu kërkoi nga ai që mos ta ngris zërin dhe të mos këtë tendencë në këtë drejtim.
“Jam për me shqyrtuar kërkesën e Vetëvendosjes dhe të çdo deputeti që bënë kërkesë këtu apo Grupi Parlamentar. Unë isha shumë i qartë, nuk është i qartë mocioni, nuk tregon çka është ka doni, nuk tregon se cilat dispozita janë shkelur dhe nuk ka rekomandim. Çka me i rekomandua ne Kuvendit? Unë po propozoj të kthehet mbrapa”.
(Ndërhyrje nga deputetja Albulena Haxhiu): “Po të dëgjojmë të gjithë nuk ke nevojë me ngritë zërin dhe as me pasë tendencë në këtë drejtim”.
Hajdar Beqa: “As ti nuk ki nevojë me ngritë zërin”.
Anëtarët e komisionit me shumicë votash kanë kthyer mbrapa për përpunim mocionin e GP të Vetëvendosje që supozohet se ka pasur shkelje të rregullores së Kuvendit të Kosovës në një prej seancave të kaluara në Kuvend.
Pas këtij debati, Komisioni ka miratuar në parim Projektligjin për Gjykatat, i cili për Korab Sejdiun, anëtar i Komisionit, ky projektligj fuqizon gjyqësorin, edhe pse ka disa nene që lënë mundësi për korrupsion në këtë sektor, andaj kërkoi që ky lëshim duhet të rregullohet.
Ai ka kërkuar që me këtë ligj, çdo gjykatë ta ketë nga një bashkëpunëtor profesional, ngaqë do të kishte të ketë më shumë efikasitet në këtë fushë.
Anëtari tjetër i komisionit, Sami Kurteshi ka thënë se pragu i fitimit të gjyqtarëve nga 25 përqind jashtë profesionit është i lartë, ngase ka shumë lëndë të pazgjidhura nëpër gjykata.
Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka përkrahur këtë projektligj në parim, derisa tha se në lexim të dytë do t’i shprehin vërejtjet për projektligjin për Gjykatat, raporton KP.
Komisioni në këtë mbledhje ka miratuar marrëveshjen për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar.





