Lajmet e fundit

Në qytetin e Mitrovicës në kuadër të një projekti janë punësuar 70 mjekë e infermierë në qendra të ndryshme të mjekësisë.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, Muhedin Osmani ka thënë në Kosova Direkt të Klan Kosovës se ky projekt ka për qëllim që të ofrojë shërbime për pacientët.
“Është bërë për pacientët pasi primare është ofrimi i shërbimeve shëndetësore por gjithsesi edhe për punësimin e mjekëve të papunë”.
“Kjo na ka shtyrë që të mendojmë për realizimin e projektit që do të realizohet përmes funksionalizimit të ambulantave sidomos në qendrat rurale”.
Ai ka thënë gjithashtu se ambulantat në qendrat rurale nuk kanë qenë në funksion të plotë ose kanë funksionuar pjesërisht për shkak të mungesës së mjekëve kryesisht por edhe për shkaqe të tjera të ndryshme.
Në këtë lidhje direkte i ftuar ishte edhe doktori Gazmend Sahiti, një nga të punësuarit që e kanë filluar punën sot.
Ai duke folur për ditën e tij të parë e ka cilësuar atë që ka shkuar mirë.
“Dita e parë e punës ka shkuar mirë, është një përvojë, ushtrim i profesionit tim, shpresoj se do të kemi sukses ashtu si e meriton Mitrovica dhe qytetarët e saj”.
Ndërsa Osmani ka treguar se ky është një projekt që përfshin disa bashkëpunëtor.
“Punëtorët i marrin pagat nga subvencionimi i projektit derisa janë dhënë 80 mijë euro nga Komuna e Mitrovicës, 50 mijë euro nga Ministria e Shëndetësisë, 75 mijë euro nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe 3o mijë euro nga Caritas”.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës ka thënë gjithashtu se shëndetësia në këtë qytet nuk ishte në gjendje të mirë.
“Ka qenë në krizë shëndetësia në Mitrovicë, ky është projekti më i madh në shëndetësinë primare në Mitrovicë”.
Ndërsa doktor Sahiti ka thënë se ky është një punësim i përkohshëm por shpreson se do të gjendet një zgjidhje edhe për të ardhmen,
Për këtë, Osmani tha se kanë menduar që të kenë një zgjidhje më afatgjatë.
“Ne kemi dërguar kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Financave qe të kemi buxhet shtesë më qëllim të punësimit të mjekëve dhe stafit përcjellës”.