Lajmet e fundit

Në Mitrovicë është mbajtur tryeza lidhur me dialogun që po zhvillohet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën e kishte organizuar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në tryezë morën pjesë nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, nënkryetari i parë i VV-së, Besnik Bislimi, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi dhe kryetari i Kuvendit të Përgjithshëm të AKR-së, Fatmir Matoshi, thuhet në komunikatën e komunës së Mitrovicës.
Pjesëmarrësit, pas kësaj tryeze u pajtuan që në dialogun që po zhvillohet në Bruksel nuk mund të ketë negociata për ndryshim të kufijve të Kosovës dhe as për shkëmbimin e territoreve midis dy shteteve. Ndërkaq pikat tjera të cilat ata i kanë miratuar janë: Asociacioni i Komunave të Kosovës me shumicë serbe nuk mund të formohet në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe frymën e Kushtetutës sonë. Është i domosdoshëm shqyrtimi dhe vlerësimi i procesit të deritanishëm negociator, duke u bazuar në raportin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit. Është e domosdoshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të hartoj një Platformë të përbashkët negociatore që përfshinë kërkesat e shtetit të Kosovës ndaj Serbisë dhe më pastaj të caktoj ekipin negociator. Ekipi negociator i aprovuar duhet t’i raportoj Kuvendit të Republikës së Kosovës pas çdo raundi të bisedimeve në Bruksel.