Lajmet e fundit

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës si dhe mori pjesë në hapjen e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, që u realizua në bashkëpunim me organizatën "Aksioni për Nëna dhe Fëmijë".
Gjatë vizitës në Spitalin e Mitrovicës, Rrahmani me bashkëpunëtorë u njoh nga drejtori i Spitalit dr. Mirdi Strana dhe menaxhmenti tjetër me punën që bëhet në këtë spital, sfidat e përditshme dhe planet për të ardhmen, transmeton Klan Kosova.
Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë i ka kushtuar vëmendje më të veçantë shërbimeve shëndetësore në këtë komunë, ndërkohë që ka theksuar nevojën e bashkëpunimit sa më të mirë midis këtij spitali dhe atij të Vushtrrisë me qëllim të sigurimit të shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës dhe komunave përreth.
Drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj ka theksuar se Spitali i Mitrovicës i ka disa vështirësi në sigurimin e një personeli të vazhdueshëm për disa prej degëve si anesteziologjia, emergjenca dhe kirurgjia, ndërkohë që u tha se po bëhen përgatitje që në këtë spital të hapet edhe shërbimi i hemodializës.
Në një bashkëbisedim me menaxherët e spitalit janë diskutuar mundësitë që spitali në të ardhmen të ofrojë shërbime sa më gjithëpërfshirëse, përderisa janë vizituar shërbimet dhe pacientët e shtrirë në këtë spital për marrjen e shërbimeve aty.
Në një aktivitet tjetër, po në komunën e Mitrovicës, bashkë me "Aksionin për Nëna dhe Fëmijë" në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, u hap Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas, të cilën Ministri Rrahmani e vlerësoi si një model të mirë të bashkëpunimit të MSh-së me "Aksionin për Nëna dhe Fëmijë", UNFPA-në dhe partnerët e tjerë.