Lajmet e fundit

Kryetarit i Mitrovicës, Agim Bahtiri, përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të kësaj komune.
Me këtë rast Bahtiri, e vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Po ashtu në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” u mbajt një manifestim për nder të kësaj dite.
I pari i Mitrovicës poashtu tha se nderimi më i madh për këta dëshmorë, është puna e përbashkët për ndërtimin e një Kosove, ku liria e arritur me shumë mund dhe sakrificë nuk guxon të keqpërdoret.
” Shënimi i ditës së Dëshmorëve të komunës sonë , të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit ,është përkujtim i sakrificës, guximit dhe heroizmit i më të dashurve tuaj dhe tanë, që u flijuan duke dhënë jetën e tyre për të realizuar aspiratat shekullore të popullit për të larguar pushtuesin njëherë e përgjithmonë nga trojet tona, nderimi më i madh për dëshmorët e kombit është puna jonë e përditshme për të ndërtuar një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, me vende punë për të gjithë dhe me institucione demokratike që u shërbejnë njësoj të gjithë qytetarëve”, tha ndër të tjera ai.
Ky përvjetor u organizua nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, transmeton Klan Kosova.