Lajmet e fundit
Ramadan Ilazi: Nëse ka një agjendë e cila na sjellë neve krejt bashkë është agjenda e integrimit evropian, është agjenda evropiane që jo vetëm neve si Kosovë na mundëson të lëvizim përpara.

Liberalizimi i vizave dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së, ishte tema e debatit të mbajtur në hapësirat e Agjencionit të Zhvillimit Rajonal Veri (ZAZHRV) të premten në Mitrovicë.
Zëvendësministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi, në diskutimin e tij rreth këtij procesi, tha se Kosova në perspektivën evropiane, gjatë këtij viti është fokusuar në dy çështje shumë të rëndësishme, e ato janë, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe liberalizimi i vizave, i cili sipas tij këtë vit pritet të përfundoj me sukses.
“Nëse ka një agjendë e cila na sjellë neve krejt bashkë është agjenda e integrimit evropian, është agjenda evropiane që jo vetëm neve si Kosovë na mundëson të lëvizim përpara, por është një proces që i ka mundësuar tërë rajonit të lëvizë në aspektin e zhvillimit, të adresimit të sfidave mes shteteve, sepse ju e dini se vetë sllogani evropian është “të jemi të bashkuar në shumëllojshmërinë tonë”, ka thënë Ilazi.
Sipas tij, nuk ka vend më të përshtatshëm se Mitrovica, ku perspektiva evropiane do të mund të shihej më së miri.
Kurse Drejtoresha e AZHRV-së, Rreze Duli, tha se ky debat është organizuar me qëllim të informimit të bizneseve, shoqërisë civile dhe studentëve me procesin e liberalizimit të vizave.