Lajmet e fundit

Brenda pusetave në kryeqytet ka nisur të vendoset helm i minjve. Kështu po zhvillohet procesi i deratizimit i cili i eliminon brejtësit.
“E bëjmë deratizimin e kanalizimeve dhe deratizimin e bodrumeve, procesi ka shkuar shumë mirë, në 5 lagjet e mëdha të kryeqytetit dhe 5 ditë të tjera do të vazhdojë. Realisht prej pranverës së vitit të ardhshëm ky proces do të bëhet çdo vit, dy herë në vit.” deklaroi drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Ky proces s’është bërë që nga vitit 2020, pasiqë që ka pasur ankesa nga kompanitë që kanë aplikuar për këtë kontratë dhe lënda ka shkuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Megjithatë mungesa kaq të gjata pritet të mos ketë më, ngase operatori ekonomik është përzgjedhur për 3 vitet e ardhshme.
Komunarët e pranojnë se minjtë gjatë kësaj periudhe janë gjendur gjithandej nëpër kryeqytet, e ka ekzistuar edhe mundësia e shpërndarjes së ndonjë sëmundjeje ngjitëse.
Deratizimi ende nuk është bërë në Emshir, e prezenca e minjve siç thonë banorët është bërë e zakonshme. Problem të ngjashëm po thonë se kanë edhe kryeqytetasit e rrugës “Muharrem Fejza”, dhe duan që brejtësit të largohen sa më parë.
Deratizimi nisi të shtunën e kaluar dhe parashihet të përfundojë më 06 dhjetor. Për këtë proces do të paguhen rreth 20.000 euro në vit.
Kronikë nga Agnesa Sahiti.