Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot në mbledhjen e Qeverisë ka paraqitur për aprovim Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ajo tha se "përmes angazhimeve tona duke përfshirë edhe aprovimin e këtij projektligji, konsideroj se institucioneve kompetente po iu ofrojmë legjislacion adekuat, në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe efektive në drejtim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative, veçmas korrupsionit"
" Në këtë aspekt konflikti i interesit dhe shmangja nga ky i fundit është një mundësi e mirë përmes të cilës do të ndikohet në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie. Po ashtu, Ministrja Hoxha shpalosi edhe përmbajtjen e këtij projektligji, duke theksuar pikat kryesore ku parashihet një numër i konsiderueshëm i ndalesave për zyrtarët publik.
“Përcaktimi i papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik, i cili parasheh që zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privat, fitimprurës. Me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit; çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit”, shtoi ajo, transmeton Klan Kosova