Lajmet e fundit

Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se situata e zonave të prekura nga moti i keq i dy ditëve të fundit është duke u stabilizuar nga ora në orë.
Ujërat sipërfaqësorë janë tërhequr dhe në pjesën më të madhe të tokave kanë mbetur aluvione dhe inerte.
QARKU FIER
Ditën e sotme në të gjithë qarkun e Fierit situata po shkon drejt përmirësimit. Në zonën e njësisë administrative Çermë, ujrat janë tërhequr, përveç grykëderdhjes të lumit Shkumbin, ku argjinatura fundore vazhdon të jetë e pambyllur. Në këtë zonë ka rreth 120 banesa të përmbytura nga Njësia Administrative Çermë dhe Tërbuf. Gjithashtu përgjatë rrugës nacionale Çermë - Divjakë shumë nga banesat u rrethuan nga uji.
Në rrethin e Lushnjës uji ka filluar të tërhiqet në shtratin e lumit dhe tokat bujqësore kanë prezencë vetëm të aluvioneve sidomos në njësinë administrative Çermë. Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës kombëtare pranë fshatit Çermë.
Të gjitha familjet që ishin në rrezik janë të evakuuara.
Mjetet e bashkive Lushnjë dhe Divjakë, si dhe disa nga ato të ushtrisë, janë në terren dhe po punojnë të mbyllin argjinaturën e dëmtuar.
QARKU DURRËS
Gjatë orëve në vazhdim, pas ndërprerjes së reshjeve, situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm ka shkuar në shtratin e tyre.
Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja.
Janë shpërndarë gjithashtu ndihma për rreth 250 familjet e evakuuara.
Aktualisht hidrovoret funksionojnë normalisht.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=316791&fundit