Lajmet e fundit

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka vizituar sot Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ku u prit nga drejtori i kësaj qendre, dr. Hysen Sadriu si dhe takoi edhe një numër dhuruesish vullnetarë të gjakut.
Gjatë vizitës në QKTGJ, Rrahmani shprehu falënderimin e tij për punën e mirë të punonjësve të kësaj qendre dhe, gjithashtu, falënderoi edhe dhuruesit vullnetar të gjakut, të cilët përmes dhurimit kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të vendit.
Ai u shpreh i kënaqur për faktin se tetëdhjetë për qind të nevojave për gjak mbulohen nga QKTGJ përmes dhurimit të gjakut, ndërkohë që njëzet për qind të tjera, nga dhuruesit familjar, transmeton Klan Kosova.
“Jam i kënaqur me punën që bëhet në këtë qendër e sidomos për faktin se asnjë qytetar i vendit, sipas të dhënave që mu kumtuan këtu, nuk ka pësuar si pasojë e mungesës së gjakut”.
Drejtori i QKTGJ, Hysen Sadriu, tha se stafi i kësaj qendre është mjaft i përkushtuar në punën e tij, në qendër kryhen me mijëra dhurime të gjakut dhe testime dhe se qendre, ja ka dalë që të plotësojë nevojat e qytetarëvë falë përkrahjes së Ministrisë së Shëndetëisë dhe dhuruesve vullnetarë të gjakut.
Ai kërkoi përkrahjen edhe të mediave që te qytetarët të përçohet drejt mesazhin e rëndësisë së dhurimit vullnetar të gjakut , duke njohur faktin që dhurimi vullnetar i gjakut e ka kuptimin e shpëtimit të jetës së njerëzve në nevojë.
Në shenjë të përkrahjes së këtij mesazhi, disa punonjës të MSh-së dhe pjesëtar të medias dhuruan vullnetarisht gjak.