Gjatë ditës së sotme, fermeri Mehdi Bresilla nga fshati Llugaxhi i komunës së Lipjanit po përgatit 200 tonë speca të llojit somborka për t’i eksportuar për në shtetin e Suedisë.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ishte i pranishëm në këtë aktivitet të Bresillës i cili po shënon edhe dërgesën e parë në drejtim të këtij shteti. Duke parë për së afërmi punën dhe angazhimin e të gjithëve, Peci i përgëzoi për punën dhe njëkohësisht u shpreh se eksporti i produkteve tona vendore po shënon rritje çdo ditë e më shumë, “për çka edhe jemi krenarë me punën e fermerëve tanë të cilët me zellin e tyre të vazhdueshëm po mbushin raftet e dyqaneve në mbarë Evropën me produkte kosovare”.
“Vitin e kaluar, fermeri Mehdi Bresilla përmes aktivitetit të tij bujqësor ka arritur që vetëm rendiment nga specat të vjelë rreth 170,000 kg. Këtë vit, ai është i bindur se frytet e punës së tij do arrijnë 220,000 kg, ku nga kjo sasi 50,000 kg do të eksportohen të konservuara. Në bashkëpunim me kompaninë “Alb Fresh” planifikon që të eksportojë edhe 100,000 kg lakër, kulturë të cilën e kultivon si kulturë të dytë pas korrjes së grurit”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Bujqësisë.
Përveç kulturës së specit që zë një sipërfaqe prej 8.5ha dhe lakrës me 1 ha, ai kultivon edhe 5,2 ha me mollë, 9,3 ha me grurë, 8,7 ha me misër dhe 2,2 ha me dredhëz (e tëra e dedikuar për eksport).
Bresilla punëson 7 punëtorë të rregullt dhe rreth 40 punëtorë sezonal duke i kontribuar zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimit të ekonomive familjare në rrethin ku jeton.

●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek bujqësi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.