Lajmet e fundit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka bërë sot përurimin e Stadiumit të Shtimes.
Vlera e realizimit të këtij projekti kalon shumën prej 100 mijë eurosh, të cilat janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në këtë përurim morën pjesë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe kryetari i klubit “Vjosa”, Avdi Sadiku.
Ministri Kujtim Gashi fillimisht shprehu falënderime për bashkatdhetarët dhe Komunën e Shtimes që me bashkëfinancim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë bërë të mundur realizimin e këtij projekti,njofton Klan Kosova.
“Është jashtëzakonisht një moment i veçantë për mua, për Qeverinë e Republikës së Kosovës por edhe për Komunën e Shtimes dhe qytetarët e saj që më në fund po e realizojmë një ëndërr të kamotshme e të gjithë sportistëve e sportdashësve që edhe Shtimja të ketë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive, përkatësisht realizimin e sportit të futbollit”, tha ministri Gashi.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se kjo është nderë për të dhe se pa bashkëpunimin e MKRS nuk do të mund të realizohej ky projekt.
“Me theks të veçantë falënderoj bashkatdhetarët që kanë qenë iniciator të ndërtimit të stadiumit dhe ministrit për ndihmesën në vazhdimësi edhe në projekte tjera”, theksoi Ismajli.
Më tej ministri Gashi foli për sukseset e fundit të sportistëve kosovar në fusha të ndryshme sportive duke thënë se kjo i bënë të ndihem mirë, dhe se në planifikimet për vitin 2019 kanë miliona euro të ndara për avancimin e infrastrukturës dhe mbështetjes së sporteve në Kosovë.