Lajmet e fundit

Para një jave paralajmëruan se do të nisin grevën dhe ashtu po rezulton. Minatorët janë sërish në protestë përballë Kryeministrisë, nga ku shprehen se nuk do të lëvizin.
Protestuesit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të miratojë që sot statusin e minatorit ndërsa e kanë akuzuar për mashtrim dhe për mosmbajtje të premtimit.
Ata kërkojnë miratimin e statustit të minatorit - një draft që është hartuar nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë bashkë me grupet e interesit në vitin 2017, por i pamiratuar ende nga qeveria, me argumentin e efekteve të mëdha financiare në buxhet, shkruan Koha Jonë.
Në propozimet e tyre kërkohet rritja e masës së pensionit në 30 mijë lekë në muaj, nga 16 mijë lekë që është ai aktual. Me prioritet, në draft konsiderohen katergotitë e dalë në pension para viteve 2000.
Gjithashtu kërkohen kontrolle shëndetësore peridioke falas dy herë në vit si dhe prioritet në politikat sociale siç është ajo e strehimit.
Javën e kaluar u zhvillua një protestë e ngjashme nga minatorët por pavarësisht vendimit të tyre për të mos u tërhequr nga kërkesa për statusin, Qeveria nuk ka reaguar ende.