Lajmet e fundit

Lufta që ngjau në Kosovë gjatë viteve 98-99 nuk ka mbaruar për të gjithë. Të paktën jo për një pjesë të ushtarëve kosovarë, përfshirë ata në Ferizaj.
Forcën e Kosovës, sikur edhe operacionin e NATO-s, KFOR-in, po i mbajnë të zënë minat dhe mjetet tjera shpërthyese që mbetën pas.
Këta bashkë u mblodhën të hënën në Parkun e Lirisë të kësaj komune për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin për Deminim.
Siç tregon drejtori i Qendrës Kombëtare të Deminimit, Ahmet Sallova, prej vitit 1999, mbi 59 milionë metra katrorë janë pastruar dhe janë demoluar mbi 92 mijë mina dhe mjete tjera eksplozive. Sipas tij, punë të madhe kreu edhe FSK-ja vetë.
“FSK-ja ka intervenuar në 3763 raste dhe ka demoluar 5571 mjete të ndryshme eksplozive.”
Se asgjësimi i eksplozivëve është çështje jetike për sigurinë e vendit, tregojnë edhe shifrat e atyre që pësuan prej luftës e këndej. 117 persona janë vrarë, e 468 të tjerë janë lënduar.
Që ky numër të mos rritet, FSK-ja ka ende punë në 74 zona. Krejt këto parashihet të pastrohen deri në fund të vitit 2024.