Lajmet e fundit
Poeti në kujtimet e së motrës Olga. Ditët e fundit në sanatoriumin “Ospedale Valdese” në Torino … dhe poezia për Bojkën

Ajo quhej Bojka. Përtej dritares në dhomën e sanatoriumit “Ospedale Valdese” në Torino, Migjeni shihte kopshtin e mbushur plot blerim.
Në mendjen e tij orvatej imazhi i Bojkës, vajzës shkodrane që ia kishte rrëmbyer zemrën. Sa bukur do të ishte sikur sëmundja t’i lironte disi fuqitë dhe ajo të shfaqej aty në stolin e vetmuar në kopsht.
Do të humbnin në shëtitje deri në mesnatë, duke folur për kohët larg njëri-tjetrit. Këto mendime vinin çdo çast në mendjen e djaloshit teksa luftonte me sëmundjen në këtë sanatorium. “Ik! Ik, moj flutur se do të digjesh! Se ke me ra në gyp të llambës dhe me flakët e saj ke me u djegë.
Por flutura sdëgjon, sillet, sillet e sillet. Dhe me atë të sjellun për gyp, largohet, shkrepet, rrotullohet rreth llambës dhjetë herë për mi shkrepë …”, shkruan ai në një nga shënimet e mbajtura gjatë atyre ditëve.
Bojka duhet të ishte në shtëpinë e saj në Shkodër, me mendjen nga i dashuri që po luftonte me sëmundjen. Ndjesitë për të, Migjeni i ka lënë në disa vargje për dashurinë, por një prej poezive të cilën ai ia dedikon asaj, është ajo me titullin për Z. B. (Zonjushë Bojka). “…
"Zojushë, q’at buzmramje - unë andrroj me andje - dhe me një dashni të pastër - ata dy sy tuej të kaltër - që m’u falnë letë - me një shikim diskret”, shkruan ai në vargjet e fundit të kësaj poezie.
Mbërritjen në Torino poeti i ri shqiptar nuk e kishte parë thjesht si një mënyrë për të kuruar më mirë sëmundjen, por dhe si një mundësi për të ndjekur studimet për letërsi.
Prej kohësh ai e ndiente se lidhja e tij me letrat ishte po aq e fortë sa një dashuri.
Ai nuk mund të rrinte asnjë ditë pa shkruar. Këtë e tregojnë dhe shënimet e hedhura mbi letër gjatë kohës që ishte në sanatorium.
Ato vijnë sot si një dëshmi e jetës së një prej personazheve më të mira të letrave shqipe, mendimet e tij për njerëzit e afërm dhe idetë që e shoqëronin.
“Ka kohë që më sillet ndër tru mendimi të marr shënime në shtëpinë e të dëshpëruarve, në sanatorium. Sot, më tepër se kurrë, m’asht dukë kjo banesë shtëpi e dëshpruemve, mbasi nuk ndihesha mirë fizikisht, e kur nuk ndihem mirë fizikisht, vuej dy herë më tepër shpirtnisht. Mbasi e diela erdhën Olga, Arta T., dhe Antim K. Biseduam mbi temën e ditës: politikën, mandej mbi mizat e ngordhura nëpër tokë nga formalina. Në kurriz të politikës së ditës dhe në kurriz të mizave të ngordhura e bamë pak gaz e humor. Kur shkuen këta, ndihesha ma mirë, dhe në darkë ngana mjaft mirë”, shkruan Migjeni në shënimet e 15 majit 1938.
Sipas kujtimeve të Olgës, së motrës, e cila në atë kohë ishte studente në Universitetin e Torinos, shokët nuk iu gjetën pranë në atë periudhë të vështirë.
“Dëshirën që t’i hapte zemrën dikujt e kish të madhe, se gjithnjë pyeste se cilët nga studentët shqiptarë kishin mbetur në Torino gjatë verës … Atëherë u mbyll në vetvete dhe priti çastin e kobshëm, natën e 26 gushtit 1938 kur iu bashkua ajrit të mbrëmjes për të ikur përgjithmonë larg”, kujton Olga.
Vdekja e Migjenit do të përcillej dhe në shtypin italian.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu:
http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/07/13/migjeni-pasioni-per-muziken-dhe-vargjet-per-zonjushen-b/