Lajmet e fundit

Publicisti i njohur Migjen Kelmendi, ka folur për herë të parë se pse e zgjodhi Partinë Demokratike të Kosovës për të nisur rrugëtimin e tij politik.
Kelmendi në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës, deklaroi se arsyeja që e shtyu atë të anëtarësohej në këtë subjekt partiak ishte se PDK ka nisur një sfidë të re, reformimin duke luftuar korrupsionin dhe nepotizmin.
''Shumë shpejt ndodhi aderimi. PDK është partia më e madhe në Kosovë, partia shtet formuese e këtij vendi''.
''Si gjithmonë partia e madhe ka drama të mëdha dhe sfida të mëdha. PDK po kalon në këto ditë sfidën e reformës dhe e ka quajt Dekadë të Re këtë kapërcim. Jam njohur me imazh të ri në PDK. Po shoh se PDK i ka hy një sfide që shumë parti të tjera po e huqin e ajo është reformimi për t’i dhënë shkaqe të reja partisë. Ardhja ime aty ishte si inkurajim i imi për këtë parti për të vazhduar me reformën dhe t’i dalim në krye asaj''.
''Një arsye tjetër është edhe sfida për luftimin e korrupsionit. Me vet faktin e aderimit s’do të thotë ta lë në shtëpi kritikën. Ardhja ime aty nënkupton inkurajim për luftën ndaj korrupsionit. Brenda PDK-së, me këtë lidership të ri po shoh hapa konkret të një përpjekje për të reflektuar ndaj korrupsionit si fenomen pastaj për ta luftuar duke ndryshuar fillimisht oborrin e shtëpisë''.
Kelmendi po ashtu ka shtuar se qasja ndaj PDK-së ku akuzohet për korrupsion e nepotizëm, nuk është e drejtë, njofton Klan Kosova.
''Qasjet ndaj PDK-së nganjëherë nuk janë fer. E keqja e fenomenit të korrupsionit në Kosovë ka një histori. Korrupsioni nuk luftohet për një javë ditë, është një proces nëpër të cilin kaloi Kosova institucionalisht dhe në këtë pjesë kur sot Kosovën e ka kllapue fenomeni i korrupsionit po guxoj të them se është kulturë''.
''LDK që po do me u sill si dhëndër s’pari, gjithnjë ka qenë e veshur me pushtet. Jo gjithnjë i ka bërë ballë atyre sfidave. Nuk po dua të flas për Qeverinë Haradinaj, po flas për VV dy mandate ka qeverisur me Prishtinën, a mundi t’i bëjë ballë këtij fenomeni. Ky fenomen nuk mund të adresohet vetëm tek një adresë. Kjo nuk luftohet me retorikë por me hapa konkret''.
Anëtari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Migjen Kelemendi tha se lufta ndaj korrupsionit do jetë një rrugë e gjatë por bashkë me PDK-në dhe miqtë e tij do të sjellin rezultate konkrete për t’i dalë në fund kësaj sfide, njofton Klan Kosova.