Lajmet e fundit

Në emisionin Ora e Fundit të Klan Kosovës, ballë për ballë me Shkodran Gajrakun i ftuar ishte, Edon Miftari, këshilltar për siguri i kryeministrit Isa Mustafa.
Me Miftarin u diskutua lidhur me hapat që ka ndërmarr qeveria për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm dhe shpalosjen e strategjisë së re.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është në vazhdimësi duke punuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. “
“Është hartuar edhe plani i veprimit që në mënyrë konkrete orienton objektivat kyçe më pjesëmarrjen e shumë institucioneve jo vetëm qeveritare, por edhe shoqërisë civile, mediave, bashkësive fetare.”
“Sot ishte një tryezë ku të ftuar ishin miq ndërkombëtar.”
“Rrezik ka si në Kosovë dhe në gjithë globin dhe nuk e bën vendin tonë imun, por Kosova prinë me masat e ndërmarra për parandalimin e këtij fenomeni.” Ka thënë Miftari, njofton Klan Kosova.
Më tej këshilltari i kryeministrit ka treguar për masat konkrete dhe strategjinë që po aplikohet.
“Masat konkrete përfshijnë edhe ligji që parandalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.”
“Ministritë, si e Kulturës Rinisë dhe Sportit, e Arsimit e Mirëqenies Sociale luajnë një rol të mirë në parandalimin e ekstremizmit.”
“Rezultatet tregojnë se viti 2015 ka qenë shumë vit më i suksesshëm se vitet e kaluara.”
“Në total llogaritet që nga fillimi i luftërave në Lindje të Mesme janë dikur rreth 300 që kanë shkuar, mbi 40 të vrarë dhe 150 që janë kthyer.”
“Strategjia në fjalë sheh parandalimin përmes aktiviteteve të deradikalizimit ku psh me ata që janë të burgosur kur të lirohen të jenë pjesë e shoqërisë.”
“Gjithmonë ka vend për përmirësime,” është shprehur Miftari, njofton Klan Kosova.
Gjithashtu Miftari ka treguar edhe për thirrjet që janë bërë për mos frekuentim të vendeve ku ka turma njerëzish.
“Pas sulmeve të Parisit kemi bërë thirrje për mos frekuentim të vendeve ku ka turma të mëdha pasi ato janë më lehtë të targetueshme, por institucionet tona po e bëjnë punën në mënyrën më të mirë të mundshme.”
“Nuk ka ndonjë informatë që në 2016 ka shkuar dikush në luftëra të huaja,” ka përfunduar Miftari, njofton Klan Kosova.