Thomas Bernhard irriton dhe provokon, ky ka qenë programi i vazhdueshëm i tij si shkrimtar. Ai provokon dhe përgjithëson, dhe edhe duke e ditur se sa jo “politicalcorrect” janë përgjithësimet ato mund të ngjallin një kënaqësi të madhe tek i lexon, (kur nuk je vet objekt i sulmit, sigurisht), sepse sheh të gërvishten ca fasada të ruajtura ndër shekuj me kokëfortësi.
Rrallë ndodh të gjesh një autor më të mllefosur se shkrimtari austriak Thomas Bernhard – ky sharës i papërmirësueshëm profesionesh, ekzistencash, ndërtesash, institucionesh etj., etj., por më të famshme janë sharjet për provincat austriake dhe gjermane, e sidomos për vendin e tij të lindjes: Salzburgun.
Në dramën e vetme të përkthyer në shqip të shkrimtarit austriak, Thomas Bernhard, qyteti i vogël bavarez Augsburg përshkruhet me fjalët “gjiriz Lehu” [MACHT DER GEWOHNHEIT, shqip: Forca e Zakonit]. Leh është një degë e Danubit që buron në Austri dhe kalon nëpër Augsburg. Sigurisht, kush ka qenë në Augsburg e di që qyteti nuk qelbet erë dhe që kjo shprehje e Bernhardit nuk ka të bëjë me realitetin, por banorët krenarë të “qytetit të paqes” e ndien veten tepër të ofenduar asokohe e u ngritën në këmbë për ta sulmuar verbalisht autorin austriak. Më vonë, në një bisedë me një redaktore të gazetës rajonale Augsburger Allgemeine, ai do të sqaronte se në fakt kishte qenë tingëllimi i fjalës së shpikur prej tij
Lechkloake, gjiriz Lehu, që e kishte shtyrë drejt këtij përshkrimi. (Augsburger Allgemeine, 1. Dhjetor 2008)
Një arsyetim i logjikshëm kur ke parasysh sesa rëndësi i kushtonte Bernhardi tingëllimit të fjalës në funksion të një ritmi muzikor, aq karakteristik për tekstet e tij, por që për fat të keq e bën atë edhe shumë të vështirë, në mos të pamundur, për t’u përkthyer. E megjithatë, ky arsyetim mbetet i pamjaftueshëm, kur kujton se zor të gjesh një tekst të Bernhard-it ku provincat gjermane e austriake të mos jenë në shënjestër të tiradave sharëse të tij.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni
këtu.