Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se është në dijeni të iniciativës së qeverisë për kriminalizimin e shpifjes.
Ai tha se ka një keqkuptim mes qëllimit dhe formulimit të nismës.
“Jam në dijeni të këtij debati të iniciativës, besoj se ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”.
“Besoj që LSI mbështet çdo iniciativë për dekriminalizim apo jo. Jua thashë që kam përshtypjen që është keqkuptuar qëllimi me formulimin. Kështu që do ketë reflektim besoj”.
Për këtë çështje reagoi edhe Presidenti i Republikës.
“Befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standarteve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha paleve politike në vend.
Sigurisht, shpifja është një gjest i ulët kudo dhe kurdo e sidomos kur përdoret mirëfilli për qëllime politike ajo shfaq gjithë shëmtinë e saj. Jo pak herë si politikan, si ministër, si President i Republikës kam qënë dhe vazhdoj të jem objekt i tyre, por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se burgosja e një gazetari është burgosje jo vetëm e fjalës, por e vetë lirisë, është goditje e sistemit demokratik, papajtueshmëri me të.
Me fjalen mund të abuzohet dhe çdo abuzim është i kritikueshëm, por me ndrydhjen e saj mund të abuzohet shumë më tepër.
Ndërmjet frikës për t’u shprehur dhe lirisë së shprehjes unë do të bëj çdo ditë të punës sime betejën për këtë të fundit.
Jam i bindur se shqiptarët të cilët 25 vjet më parë, në dhjetor, me protestat e studentëve vranë frikën për të fituar lirinë e fjalës nuk do t’ja dorëzojnë askujt liritë e fituara.
Nuk do ta burgosin fjalën në emër të frikës, por frikën për fjalën,” shkruan Nishani në FB.
Ndërkohë kreu i PD, Lulzim Basha, shkroi në FB: “Burracaku Rama kërcenon me burg mediat dhe gazetarët që nuk arrin t’i shantazhoje apo blejë e që kanë kurajon të nxjerrin në dritë skandalet, korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin.
E di dhe vetë ky kokosh poturembushur se nuk ka asnjë shans të trembë askënd. Era e hajduterisë së tij dhe bandës së tij po qelb Shqipërinë. Nuk shpëton dot me marifete të tilla. Nuk do të arrije kurrë ti mbylle gojën as opozitës, as medias së lirë, as qytetarëve. Ai dhe banda e tij do të japin llogari”.