Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Ilir Meta, bëhet i pari përfaqësues i lartë i mazhorancës që reagon pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ndër të tjera thuhej se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka qenë i dënuar për trafik qëniesh njerëzore. Meta apelon që të gjithë të inkriminuarit të dalin para drejtësisë.
"Z.Meta, në frymën që përcon ky Raport, njëkohësisht apelon dhe kërkon nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, të rrisin nivelin e profesionalizmit dhe të luftojnë pa asnjë kompromis, si dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit e përfshirë në veprimtari të paligjshme të trafiqeve të çdo lloji"- thuhet në deklaratë.
Më tej Meta shpreh mbështetje për procesin e dekriminalizimit "përmes rritjes së standardeve ligjore për të gjithë përfaqësuesit publik të zgjedhur apo të emëruar." Deri më tani nuk ka një reagim nga kryeministri Rama, i cili ndoshta është personi në pozicionin më të vështirë, pasi deputeti që përmendet në raport, dyshohet të jetë Arben Ndoka, pjesë e Grupit Parlamentar të PS-së. /Lapsi.al