Lajmet e fundit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Spanjës, Alvaro Renedo Zalba.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se i ka uruar ambasadorit suksese në misionin e tij të ri.
"Prita sot, në një takim të ngrohtë, ambasadorin e ri të Spanjës, Sh.T.Z. Alvaro Renedo Zalba, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale, duke i uruar suksese në misionin e tij diplomatik në Shqipëri për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona".
"Vlerësova rritjen e shkëmbimeve të fundit politike mes Shqipërisë dhe Spanjës, si dhe nënvizova rëndësinë e vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit, sidomos në fushën ekonomike e tregtare, turizëm, art, kulturë dhe arsim, duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese reciproke".
"E falënderova ambasadorin veçanërisht për qëndrimin mbështetës të Spanjës për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Bashkimit Evropian me Shqipërinë dhe ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian", ka shkruar Meta, transmeton Klankosova.tv.