Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ndodhet në Konferencën e Kryeparlamentarëve të Bashkimit Europian, që po mbahet në Luksemburg, shkruan Shekulli.
Sipas një njoftimi për shtyp, mësohet se i pranishëm në këtë event, ku Shqipëria përfaqësohet në cilësinë e vendit kandidat, është edhe presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker.
Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka prekur mes të tjerash krizën e refugjatëve, duke garantuar të pranishmit se Shqipëria do të kontribuojë brenda kapaciteteve të vetë dhe sipas nevojës së partnerëve europianë.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me fqinjët tanë, Italinë dhe Greqinë. Kriza e refugjatëve ka nevojë për një strategji të mirekoordinuar evropiane. Moskoordinimi i lë vend pasigurisë dhe rrjetes së trafikut dhe terrorizmit”, ka deklaruar Meta.
Ai është shprehur më tej se, qytetarët europianë duhet të kenë besim tek Bashkimi Europian dhe të qëndrojnë larg alternativave nacionaliste dhe ksenofobiste.
“Kriza e refugjatëve kërkon zgjidhje konkrete, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”, ka shtuar Meta.