Lionel Messi ka shprehur dëshirën e tij për të qenë pjesë e Botërorit 2026 me kombëtaren e Argjentinës, por theksoi se vendimin përfundimtar do ta marrë gjatë vitit të ardhshëm. Këtë e ka treguar në një intervistë për NBC, pak kohë pasi rinovoi kontratën me Inter Miami deri në vitin 2028.
Sipas tij, do të ishte një ndjesi e jashtëzakonshme të merrte pjesë në Kupën e Botës 2026.
“Do të ishte diçka e veçantë të luaja sërish në Botëror. Dua të jem në gjendje të mirë fizike dhe të kem një rol të rëndësishëm për ta ndihmuar kombëtaren, nëse do të jem pjesë e saj”, është shprehur kapiteni argjentinas, i cili së fundmi udhëhoqi Inter Miamin drejt një fitoreje 3-1 ndaj Nashville në ndeshjen e parë të fazës ‘play-off’ të MLS.
Messi ka zhvilluar ndeshjen e tij të fundit të madhe me Argjentinën në shtator, në fitoren 3-0 kundër Venezuelës, ku realizoi dy gola dhe u përlot gjatë lamtumirës së përkohshme me fanellën e kombëtares.
Ai shtoi se do ta vlerësojë gjendjen e tij fizike dhe formën gjatë përgatitjeve me Inter Miami në fillim të vitit të ardhshëm.
“Kur të nis përgatitjet me klubin, do të shoh nëse jam plotësisht gati për të ndihmuar skuadrën dhe kombëtaren. Vetëm atëherë do të vendos. Sigurisht që dua të jem pjesë e Botërorit, sepse do të ishte fantastike ta mbronim titullin që fituam në Katar.”
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.