Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, drejtori gjeneral i Sigal Prishtina, Luan Maloku, ka reaguar publikisht ndaj situatës së fundit në klub, duke pranuar sfidat serioze me të cilat po përballet skuadra, përfshirë edhe procesin në BAT (Gjykatën e Arbitrazhit të Basketbollit).
Para një numri të madh gazetarësh, Maloku ndër të tjerash pati një deklaratë të fortë e cila tërhoqi menjëherë vëmendjen:
“Po e shoh këtë zyrë sot më të mbushur se kurrë me media. Ndoshta keni ardhur për ta dëgjuar lajmin e keq, që klubi po shuhet. Por unë jam këtu për t’ju dhënë lajmin e mirë.”
Ai nuk e mohoi se klubi po kalon nëpër një periudhë të vështirë, duke përmendur problemet financiare dhe çështjen në BAT, por theksoi se pavarësisht presionit dhe sfidave, brenda klubit ekziston një unitet i jashtëzakonshëm.
“Edhe pse kemi shumë probleme, duke përfshirë faktin që jemi në BAT, ju garantoj se ky klub është më i bashkuar se kurrë. Brenda nesh ka më shumë vendosmëri, më shumë besim dhe më shumë vullnet për të ecur përpara,” deklaroi Maloku.
Sipas tij, situata aktuale nuk do ta ndalë klubin më të trofeshëm në vend që të vazhdojë rrugën drejt sukseseve të reja.
“Sigal Prishtina nuk do të shuhet. Përkundrazi, do të ringrihet edhe më e fortë. Ne do të ecim përpara drejt sukseseve, ashtu siç e kërkon historia dhe pesha e këtij emri,” përfundoi ai.
Deklarata e drejtorit vjen në një moment delikat për klubin, por mesazhi ishte i qartë: pavarësisht sfidave ligjore dhe financiare, brenda mureve të klubit mbizotëron bindja se kjo është vetëm një fazë kalimtare dhe jo fundi i rrugëtimit bardhekaltër./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.