Lajmet e fundit

Nga e hëna, 17 shkurt, do të fillojë një emision i ri në Klan Kosova.
Emisioni që do të titullohet "Memory" do të shfaqet çdo dy javë, të hënave, në orën 21:00.
"Memory" është emision me dokumentarë, që do të trajtojë tema të aktualitetit politik, gjendjes tonë sociale e ekonomike, kurioziteteve të jetës dhe brutalitetet të përditshmërisë kosovare.
Dokumentari i parë - meqë data e fillimit të transmetimit ka rastisur (me qëllim) me datën e pavarësisë së Kosovës - do të shfaqë pikërisht një dokumentar që ka të bëjë me ditën themeltare të shtetit.
Dokumentari do të paraqes prapaskenat e pavarësisë - përcjelljen maratonike të televizionit Klan të Shqipërisë, si televizioni i vetëm që kishte përcjellë ngjarjen në totalitetin e saj në atë kohë.
Si u bënë xhirimet autentike nga gazetari Blendi Fevziu pak minuta para se kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi ta shpallte pavarësinë?
Si u bë që vendosën të bënin transmetim maratonik për më shumë se 70 orë, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë?
Çfarë kishin planifikuar të bënin më shumë, por përse nuk ia arritën?
Dokumentari paraqet edhe përjetimet e asaj dite të ish-kryeministrit të Kosovës, tash presidentit Hashim Thaçi.
Ky dokumentar i parë, që është titulluar "Imazhet Historike" shfaqet të hënën me 17 shkurt, në orën 21:00.
Ndiqeni në Klan Kosova.