Lajmet e fundit

Ndryshimet dhe reformat janë të pashmangshme në BDI. Në rast se partia nuk përthith energji të re, dhe të rikonceptualizojë veten, atëherë ajo nuk mund ta rikthejë besimin tek votuesit e saj. Ermira Mehmeti, një nga eksponentët e BDI-së, prej ditësh tashmë ndanë publikisht pakënaqësinë mbi mënyrën e veprimit të partisë.
“Këto janë ato gjashtë muaj në të cilët ne duhet të shikojmë një energji të re, një dinamikë të re, një rikonceptualizim, nuk është turp ta themi, një ofertë politike e cila do ti joshë, nuk do ti mashtrojë, por do ti bëjë qytetarët shqiptarë që të rikthejnë besimin se kjo është ajo BDI që di dhe mundet”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
Mehmeti, pavarësisht paralajmërimit të saj për largim nga BDI-ja, me ultimatumin e shprehur pak ditë më parë, paralajmëroi se BDI-ja mund të braktiset më tej nëse nuk përqafon reformat.
“Unë besoj që ju po shikoni çfarë po ndodh, BDI-ja po lëkundet, disa ish kolegë tanët jo të rastit, themelues të partisë, funksionarë të lartë, tashmë kanë braktisur partinë dhe ata godasin me një arsenal politik jo të lehtë në drejtim të BDI-së. Unë besoj se një reform do të ndodhë”, deklaroi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
Mehmeti, pakënaqësinë e saj e manifestoi edhe me mungesën në promovimin e shtabit zgjedhor partiak./AlsatM