Lajmet e fundit

Policia e Kosovës, sot ka realizuar një operacion policor të koduar me emrin “MEDIKAMENTI”, i cili ka rezultuar me arrestimin e nëntë personave të dyshuar për kontrabandim të medikamenteve.
Policia njofton se ky operacion i cili është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Pejës është realizuar pas gjashtë muajsh hetimesh intensive.
Aksioni në fjalë është realizuar në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, me ç’rast është bërë bastisja e shtatëmbëdhjetë (17) lokacioneve të ndryshme
Poashtu bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar sasi e madhe e barnave (mijëra produkte medicionale) që dyshohet se janë të pakontrolluara dhe të paverifikuara, me prejardhje kryesisht nga Serbia të kontrabanduara në Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale.
"Të arrestuarit dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës".
"Me këtë rast dyshohet se këta persona kanë kryer veprat penale ‘kontrabandim me mallra’, ‘shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore’, ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike’, ‘krim i organizuar’ dhe ‘posedim i paautorizuar i armëve dhe municionit" bën të ditur policia.
Gjatë kontrollimit të lokacioneve janë gjetur dhe konfiskuar një revole të kal.7.62 mm dhe dy pushkë gjuetie, transmeton Klan Kosova.