Gjilani dhe Ferizaj kanë ndarë pikët në një barazim 1-1, në një ndeshje të tensionuar ku vëmendja kryesore shkoi te vendimet e gjyqtarëve, në krye me Burim Jahmurataj.
Takimi u karakterizua nga një numër i madh kartonësh – plot 13 të verdhë – ndërsa vendimet kontroverse nuk munguan.
Fillimisht u anulua një gol i Haxhimisës për Gjilanin, ndërsa më pas u akordua një penallti për Ferizajn në minutat shtesë (90+13), vendim që u diskutua shumë nga kampi vendas.
Dramë e vërtetë u zhvillua në fundin e ndeshjes. Në minutën e 82-të, Senad Jarovic kaloi Gjilanin në epërsi, kurse në minutën e 102-të, Erion Sadriu humbi një penallti që mund të vuloste ndeshjen.
Megjithatë, vetëm pak sekonda më vonë, në vazhdimin e aksionit, Bekima Cloud arriti të shënojë dhe t’i sigurojë një pikë ekipit të tij, që nuk kishte vlerë pasi Llapi dhe Drenica fituan në udhëtim.
Pas këtij barazimi, Gjilani shkon në kuotën e 45 pikëve, duke mbetur shtatë pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Malisheva dhe që siguron dalje në garat evropiane./Klankosova.tv
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.