Lajmet e fundit

Drejtësi në rastin e një vjetorit të vrasjes së Engjëll Smerqakut nga Gjilani, kanë kërkuar të shtunën familjar e shoqëria e tij.
Ata u mblodhën për të protestuar me kërkesë për zbardhjen e rastit të 19 vjeçarit që u vra para banesës së tij.
“Unë sot veç një apel e kam, i lus organet e drejtësisë ta gjejnë e të marrë dënimin që e meritoi vrasësi. Është mëkat i madh me vdes një 19 vjeçar në liri”, tha nëna e Engjëllit, Florije Smerqaku.
E një shok i tij, e ka të freskët ende ngjarjen e asaj nate.
“Gjithçka ka qenë e zakontë. Djali u kanë i lumtur si në qef. Ai i ka krye gati krejt punët atë natë dhe nuk kam vërejtur asgjë që nuk është në rregull me të”, tha Adnit Daku.
Në pamundësi për të qenë edhe fizikisht në këtë tubim, vëllai i Engjëllit ka një lutje nga diaspora.
“Nëse ata se qesin drejtësinë në pah, nuk i zbardhin këto raste, ata po e përkrahin krimin. Ata po shtyjnë dikë tjetër të bëjë krim”, tha Blond Smerqaku.
Nga Prokuroria Themelore në Gjilan thonë se kanë bërë gjithçka që është e mundur për ta zbardhur rastin.
“Për hir të korrektësisë dhe njoftimit sa më të saktë të opinionit publik, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, që nga vrasja e të ndjerit E.S., e deri më tani janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren intensivisht me hetimin e këtij rasti, deri në identifikimin e personave të dyshuar të mundshëm”.
Nga familja thanë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për Engjëllin.