Lajmet e fundit

Ministria e Ekonomisë e ka kompensuar për herë të parë Postën e Kosovës me shumën prej 1 milion e 168 mijë e 932 euro për Shërbimin Universal Postar për vitin 2023.
“Nga ky shërbim përfitojnë qytetarët e vendit, pasi pavarësisht nëse dërgojnë letër nga Prishtina në Fushë-Kosovë, apo nga Leposaviqi në Dragash, Posta e Kosovës e ofron shërbimin me çmim bazik të njëjtë, të përballueshëm, për të gjithë qytetarët”, shkruan në kumtesën e ministrisë.
Aty tutje thuhet se ligji parasheh kompensim për të përballuar koston më të lartë të shërbimit për zona më të largëta, por Posta deri më tani kurrë nuk ka marrë kompensimin.
“Për këtë, Ligji Nr. 06/L-038, Neni 10, parasheh kompensim për të përballuar koston më të lartë të shërbimit për zona më të largëta, por Posta e Kosovës deri më tani kurrë nuk ka marrë kompensimin e merituar, si rrjedhojë e mungesë të akteve nën-ligjore të institucioneve kompetente e kapaciteteve njerëzore në vetë ndërmarrjen”.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, deklaroi se kjo padrejtësi po adresohet për herë të parë, dhe se qeveria do të ndihmojë që Posta të përmirësojë operimin e ndërmarrjes, përcjell Klankosova.tv.
“Lidhur me këtë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se sot kjo padrejtësi po adresohet për herë të parë dhe pagesa e SHUP nga Qeveria e Kosovës do të ndihmojë që Posta e Kosovës të përmirësojë operimin e ndërmarrjes e investimet e nevojshme që kanë munguar me dekada”.