Lajmet e fundit
Pas formimit të grupit punues për të përgatitur dokumentin konceptual për fushën e pasurisë së pajustifikueshme, përkatësisht fushën “anti-mafia”, grupi punues në pajtim me mandatin e tij dhe sipas legjislacionit përkatës ka hartuar koncept dokumentin, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.

Grupi punues udhëhiqet nga Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, prokurori, Shqipdon Fazliu. Në kuadër të këtij grupi janë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, përkatësisht gjyqtarë të Departamentit të Krimeve të Rënda, përfaqësues, nga Këshilli Prokurorial, përkatësisht prokurorë të departamentit të Krimeve të Rënda, përfaqësues nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës.
"Pas analizës së bërë të legjislacionit në fuqi të kësaj fushe, grupi punues ka rekomanduar që të hartohet ligj i ri, i cili do të përcaktojë mundësinë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme edhe pa aktgjykim dënues për kategori të caktuar të veprave penale", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Dokumenti konceptual aktualisht është dërguar për konsultime, ndërsa Ministria e Drejtësisë njofton se mirëpret komentet dhe propozimet e akterëve relevant në mënyrë që sa më parë të finalizohet ky dokument konceptual me rekomandimin për nxjerrjen e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ky grup ishte krijuar më 20 maj 2015.