Lajmet e fundit

Burime nga rrethi i brendshëm i John McCain rrëfejnë për mediat amerikane se senatori i sëmurë rëndë po planifikon funeralin e tij dhe kërkon që në shërbesë të jetë i pranishëm zëvendëspresidenti Mike Pence, por jo shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Arsyeja e kësaj këmbënguljeje është pikërisht marrëdhënia e trazuar mes dy figurave të rëndësishme të Partisë Republikane.
McCain është duke luftuar me një formë agresive tumori në tru. Diagnoza e rëndë, 81-vjeçarit iu përcaktua korrikun e kaluar, e ndonëse i është nënshtruar një trajtimi të kujdesshëm, sëmundja ka avancuar ndjeshëm.
Të premten, e bija, Meghan shkroi në “Twitter” se do të kthehej në shtëpinë e familjes së saj në Arizona, për të qëndruar me të afërmit e saj në ato që duket të jenë momente të vështira për ta.
Muajin e kaluar, senatori u shtrua në spital me një infeksion në zorrë, e gjendja e tij shëndetësore është aktualisht mjaft e brishtë. Me Trumpin, ai është përplasur disa herë, edhe publikisht. Presidenti u kritikua ashpër në 2015-tën kur e vuri në lojë statusin e McCain si hero i luftës së Vietnamit.