Është rikthyer seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Fjalët përfundimtare po i jep sërish mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Specialja nuk do të ekzistonte pa Thaçin, e krijoi vetë për ta pastruar emrin”, thotë avokati
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka marrë sërish fjalën në seancën e sotme duke kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm, të lirohet dhe të kthehet te familja e tij.
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku e cila po raporton nga Haga thotë se Mishetiq shtoi se vetë Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Specializuar nuk do të ekzistonin po të mos ishte Thaçi, i cili e krijoi këtë institucion për ta pastruar emrin e vetë.
Ndër të tjera, avokati nuk ka komentuar rreth viteve të dënimit sepse kjo do të thoshte se mbrojtja e pranon dënimin, por ka komentuar kohëzgjatjen që ka kërkuar kryeprokurorja Kimberly West, burgim prej 45 vitesh që sipas tij është e barabartë me burgim të përjetshëm, raporton Klankosova.tv.
Mishetiq: Me 45 vjet, ZPS kërkoi burgim të përjetshëm
Kryeprokurorja e Speciales, Kimberly West, gjatë fjalës së saj përfundimtare të hënën, kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, përkatësisht për Hashim Thaçin dhe të tjerët, që në total arrin 180 vjet.
Rreth kësaj, avokati i ish-presidentit, Luka Mishetiq, deklaroi se me kërkesën për 45 vjet, ZPS-ja po synon burgim të përjetshëm.
I njëjti kërkoi që Hashim Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, të lirohet dhe të kthehet te familja e tij dhe vendi i tij, transmeton Klankosova.tv.
Mishetiq shtoi se vetë Gjykata Speciale dhe Prokuroria e Specializuar nuk do të ekzistonin po të mos ishte Hashim Thaçi i cili krijoi këtë institucion për ta pastruar emrin.
Prokuroria sipas avokatit kryesor të Thaçit ishtë në test dhe, dështoi.
“Prezantoi aktakuzë me plot të meta, jo konsistente dhe argumente të palogjikshme”, tha avokati Mishetiq.
Në Hagë për ta ndjekur nga afër këtë proces, po qëndron gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku.
Prosper gjunjëzon Prokurorinë që tentoi t’i diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë!
Gazetarja e Klan Kosovës e cila po e përcjellë nga afër gjykimin e madh në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, ka sjellë përmbledhjen e ditës së tretë të deklaratave përmbyllëse, ku sot fjalën e fundit e nisi mbrojtja e Thaçit.
Mujku e ka shpjeguar gjithë deklaratën e avokatit Pierre Prosper, i cili e ka gjunjëzuar Prokurorinë e Specializuar, që tentoi t’i diskreditojë dëshmitarët ndërkombëtarë.
“Kanë kaluar pak çaste e ka përfunduar fjalën e tij, ambasadori dhe avokati i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Pierre Prosper, i cili e ka gjunjëzuar gjithë atë që e ka thënë ZPS për dy ditë në fjalën hyrëse të kësaj Zyrë, më 9 dhe 10 shkurt, duke u përpjekur t’i diskreditojë dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, që dëshmuan për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithë diplomatët dhe ushtarakët nga ShBA dhe Britania, të cilët kanë përfaqësuar aleancën më të fuqishme ushtarake politike, NATO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prosper ka deklaruar se nuk është e mundur që diplomatë të tillë, të kenë qenë parashutistë dhe të kenë pasur njohuri fare të pakta për luftën e UCK-së dhe ngjarjet që kanë ndodhur në ’98 dhe ’99, e në bazë të të cilave NATO më pas ka ndërhyrë për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë.”
Tutje, në fjalën e tij, Prosper edhe ka ironizuar me ZPS-në, pikërisht për diplomatët dhe ushtarakët që u ulën në këtë gjykatë në vendin e dëshmitarëve dhe rrëfyen për luftën e drejtë të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv
“Ai madje ka ironizuar se deri në atë shkallë me Prokurorinë, sa i tha trupit gjykues se ajo që po përpiqet Zyra e Kimberly West të ju thotë juve është që “ata diplomatë kanë qenë në terren, por nuk e dinë, mos iu besoni syve tuaj, mos u besoni veshëve tuaj, na besoni neve, sepse ne Prokuroria iu tregojmë juve se çfarë ka ndodhur në atë kohë në Kosovë.” – raportoi tutje gazetarja Mujku.
Mujku tregoi se avokati Prosper, ishte i qartë në lidhje me raportin që do të duhej të ekzistonte karshi dëshmitarëve të mbrojtjes.
“Po ashtu në anën tjetër, Prosper i tha trupit gjykues, që kurrkush në Gjykatë nuk ka nevojë që t’i pëlqejë këta dëshmitarë ose t’i respektojë, por e kanë obligim që ta respektojnë rolin e tyre, profesionin dhe shtetin prej nga vijnë. “
Për ta përmbyllur deklaratën e fuqishme, ajo tha se Prosper iu drejtua Gjykatës Speciale me disa fjalë për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë.
“Ai po ashtu tha se nuk munden që diplomatë të tillë të kenë ardhur në përfundimin për të ndërhyrë në Kosovë dhe të përmirësojnë gabimin që komuniteti ndërkombëtarë e ka bërë në Bosjne, pak vite më herët.” /Klankosova.tv
“Thaçi njohu dhe respektoi autoritetin e UNMIK-ut”

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe largimit të popullatës serbe, strukturat qeveritare pësuan kolaps, pasi sipas mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, ato ishin të dominuara nga serbët dhe mbetën jofunksionale.
Në këtë situatë, u tha se ishte e arsyeshme që shqiptarët e Kosovës, përfshirë përfaqësues të qeverisë së përkohshme dhe UÇK-së, të angazhoheshin për rikthimin e funksionimit të shoqërisë.
“Kur lufta përfundoi dhe popullata serbe u largua nga Kosova, strukturat qeveritare kolapsuan pasi predominoheshin prej serbëve, në këtë realitet është mundësia e arsyeshme që shqiptarët e Kosovës, përfshirë këtu edhe ata që ishin pjesë të qeverisë së përkohshme dhe UÇK-së, të përpiqeshin që shoqëria të punonte sërish. U dëshmua që UÇK-ja u mundua të gjente shqiptarë që të ushtronin shërbimet bazë, pasi pas kohës së largimit të serbëve nuk mbeti asgjë që funksiononte”, tha avokatja e ish-presidentit të Kosovës, Nina Tavakoli, raporton Klankosova.tv.
Ajo theksoi se Thaçi më pas njohu dhe respektoi autoritetin e UNMIK-ut, dhe kjo, siç potencoi avokatja, e konfirmoi edhe Kouchner.
“Ne nuk e mohojmë se në ditët e para të misionit të UNMIK-ut, Thaçi u mundua të krijojë një rol për qeverinë e përkohshme, por në fund ai iu drejtua bashkëpunimit me UNMIK-un. Të paktën ka pasur 3 qeveri në Kosovë në atë kohë, qeveria e përkohshme, qeveria e Bukoshit dhe zyra e qeverisë serbe në Prishtinë. Asnjëra prej tyre nuk ishte ligjore. Por ZPS pretendon se dy qeveritë e tjera ishin mjet i NPK-së, por thonë se LDK-ja ishte viktimë e NPK-së.
“Thaçi njohu dhe respektoi autoritetin e UNMIK-ut, gjë që u konfirmua edhe nga Kouchner”, tha avokatja Tavakoli.
“Si mund t’i gënjente ndërkombëtarët? – Avokatja mbron Thaçin dhe sfidon pretendimet e ZPS-së

Në seancën e së martës, Prokuroria e Hagës pretendoi se Hashim Thaçi ka qenë në gjendje t’i gënjente ndërkombëtarët.
Rreth kësaj, në gjyqin e sotëm, avokatja e ish-presidentit, Nina Tavakoli tha: “Si është e mundur që klienti ynë 29-vjeçar në atë kohë, t’i ketë gënjyer të gjithë ata?”.
Ajo vazhdoi duke përmendur pretendimet e ZPS-së se Thaçi kishte një kontribut domethënës sa i takon NPK-së, për të cilat e njëjta theksoi se janë të pabaza, raporton Klankosova.tv.
“Si është e mundur që klienti ynë 29 vjeçar në atë kohë, t’i ketë gënjyer të gjithë ata. Qeveria e përkohshme nuk mund ta drejtonte një vend që nuk ekzistonte, me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, sikurse e dimë, pra kjo rezolutë ka vendosur të ardhmen e Kosovës nën UNMIK-un”.
“Sipas ZPS-së, Thaçi ka bërë një kontribut domethënës sa i takon NPK-së, së pari duke u bërë kryeministër, së dyti duke bërë emërime politike dhe duke miratuar ligje, dhe së treti duke kontestuar autoritetin e UNMIK-ut, duke vendosur epërsinë e qeverisë së përkohshme të Kosovës. Dhe së fundmi duke qenë i informuar për krimet e kryera, por duke mos i ndëshkuar ato”.
Avokatja po ashtu foli për rolin e Thaçit si kryeministër, duke thënë se ai nuk mund të nënshkruante asnjë marrëveshje, pra që në realitet nënkuptonte se pozicioni i tij ishte një titull për një shtet që nuk ekzistonte.
“Thaçi ka mbajtur pozicionin e kryeministrit, por çfarë kompetenca reale kishte ai, në një situatë kur komuniteti ndërkombëtar as nuk e njihte fare një pozicion të tillë, ai nuk mund të dërgonte asnjë letër drejt UNMIK-ut, sepse këto letra i kanë kthyer mbi bazën e një politike zyrtare. Ai nuk mund të nënshkruante asnjë angazhim për kosovarët në rolin e tij si kryeministër, ai nuk mund të nënshkruante marrëveshjen për demitalirizimin e UÇK-së duke e përdorur titullin e kryeministrit. Në realitet ky nuk ishte një titull për një shtet që nuk ekzistonte”.
“ZPS pretendon se në rolin e vet si kryeministër, Thaçi ka miratuar legjislacione të cilat ishin domethënëse për qëllime të përbashkëta kriminale, por ZPS nuk ka vërtetuar që ai personalisht ka nxjerr ligje dhe dekrete të qeverisë së përkohshme. Asnjë prej dekreteve apo dokumenteve të qeverisë së përkohshme nuk është nënshkruar nga Thaçi. Asnjë prej raporteve nga organizatat ndërkombëtare që lidhen me qeverinë e përkohshme dhe që kanë të bëjnë me vendosjen e taksave nuk e përmendin Thaçin dhe nuk kanë asnjë përfshirje të tij. Dhe në qoftë se prokuroria do të ishte bindur që Thaçi do të kishte miratuar legjislacion, ku do të dalë prokuroria me këtë? Sepse nuk ka asnjë provë që ky legjislacion ka hyrë në fuqi”.
“Gjykata ka dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve të besueshëm, që kanë thënë se qeveria e përkohshme asnjëherë nuk ka qenë profesionale, pra ato mbeten aspirata, fare reale. Mbështetemi me të njëjtën bazë provash që emërimet e përfshira, janë të pabazuara. Në çdo rast, pavarësisht konstatimit që do të bëni ju, sa i takon emërimeve të Thaçit, prokuroria nuk ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm, pra nuk ka dëshmuar që ka pasur urdhra të dhëna nga Thaçi për persona të emëruar. Pretendimi i ZPS-së që Thaçi ka emëruar kryetarë komunash, është po ashtu i pabazuar”, deklaroi avokatja, njofton Klankosova.tv.
Mbrojtja e Thaçit kundërshton ashpër ZPS-në: S’ke pikë dëshmie për argumentet tua

Avokatja Nina Tavakoli, nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi i ka drejtuar një pyetje Prokurorisë së Specializuar lidhur me akuzat që ua rëndon ish-kreu të UÇK-së.
Gjatë deklarimit të fjalëve përfundimtare, ajo pyeti ZPS-në se si një njeri që pranoi humbjen në zgjedhje dhe ishte në gjendje të demilitarizonte UÇK-në, mund të kërkonte ushtrim kontrolli mbi vendin e tij, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë pyetje, ajo shtoi se ZPS nuk është bindëse në atë që thotë, duke theksuar se e njëjta nuk ka asnjë pikë dëshmie dhe prove për argumentet e veta.
“Si është e mundur që një burrë që pajtohet ta demilitarizojë UÇK-në, që punon në mënyrë konstruktive me UNMIK-un pas luftës, dhe i cili më pas në tetor të 2000-shit dhe në nëntor të 2001-shit pranoi humbjet në zgjedhjet demokratike dhe vazhdoi të punonte fort deri sa i fitoi zgjedhjet në vitin 2007, të të duket që po mundohet të kishte kontroll dhe të fitonte kontroll mbi Kosovën. Mendojmë se ZPS nuk është bindëse në atë që thotë dhe nuk ka pikë dëshmie dhe prove për argumentet e veta”, tha avokatja. /Klankosova.tv
Mishetiq: “ZPS nuk arriti të provojë se Thaçi dinte që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime”
Po vazhdon pranë Gjykatës Speciale, mbrojtja me paraqitjen e deklaratave përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Avokati Luka Mishetiq ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar të kësaj gjykate se nuk ka prova se Thaçi e kishte shfrytëzuar pozitën e tij si krymeinistër për emërme në pozita qendrore në Qeverinë e përkohshme.
“Prokuroria nuk ka arritur që të provojë se Thaçi të ketë ditur që ndonjë anëtar i Qeverisë së Përkohshme të ketë kryer krime”, deklaroi Mishetiq.
Mbrojtja kundërshton ZPS-në: S’ka prova se Thaçi hartonte komunikatat e UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë Politike para periudhës së përmendur në aktakuzë.
Sipas mbrojtjes, ZPS pretendon se Thaçi e drejtonte Drejtorinë Politike që nga qershori i vitit 1998, mirëpo nuk ka paraqitur asnjë provë që ai e ka ushtruar këtë funksion para kësaj periudhe.
“ZPS pretendon që Thaçi drejtonte Drejtorinë Politike nga qershori i vitit 1998. Nuk ka asnjë provë që të ketë ushtruar funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Politike përpara kësaj periudhe. Që kontrollonte politikat e UÇK-së asaj kohe dhe që drejtohej prej Thaçit. Nuhi Bytyçi që thuhej se ka qenë Drejtor i Drejtorisë Politike në vitin 1998. Pretendim tjetër që prokuroria as nuk i bëri pyetje dëshmitarit. Vetë dëshmitari gjatë kundërpërgjigjeve tha se Thaçi nuk ka qenë Drejtor i Drejtorisë Politike deri në nëntor të vitit 1998. ZPS nuk e kontestoi dëshminë e tij ku pati mundësinë për të bërë pyetje shtesë”, tha avokati Luka Mishetiq.
Tutje, avokati i Thaçit tha se prokuroria nuk ka sjellë prova që ai ka qenë figurë udhëheqëse në Lëvizjen Popullore të Kosovës, duke e cilësuar këtë si pretendim të pabazuar.
“ZPS nuk guxonte t’i bënte pyetje Bislim Zyrapit sepse kishte frikë nga përgjigjet që do t’i merrte, kjo nuk është e drejtë për dëshmitarin dhe të akuzuarit. ZPS nuk jep prova që Thaçi ka qenë figurë udhëheqëse në LPK dhe kjo thjesht është e pabazë. ZPS pretendon se Thaçi ka mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve politike që të garantonte të ishin në favor të shtabit të përgjitshëm të UÇK-së”, theksoi Mishetiq, raporton Klankosova.tv.
Gjithashtu, u theksua se nuk ka dëshmi që Thaçi ka hartuar komunikata politike të UÇK-së. Sipas mbrojtjes, ZPS ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim.
“Nuk ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së. Se ka pasur përfshirje në përgatitjen e deklaratave politike, asnjë dëshmitar nuk ka dhënë dëshmi për këtë lidhur me faktin që Thaçi të ketë hartuar komunikata politike. Në fakt, ZPS arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre që Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e tyre”, tha ai.
Në përfundim, mbrojtja argumentoi se edhe Rexhep Selimi ka pranuar se nuk ka pasur njohuri se kush i përpilonte komunikatat, duke e cilësuar këtë si dëshmi që rrëzon pretendimet e prokurorisë ndaj Thaçit, raporton Klankosova.tv.
“ZPS nuk jep prova që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin e deklaratave politike. Edhe sikur ZPS të arrijë të tregojë një lidhje mes Thaçit dhe komunikatave, ajo nuk arrin të vërtetojë që ato kanë qenë një kontribut i konsiderueshëm në lidhje me krimet. ZPS pretendon që Thaçi i shikonte oponentët si kërcënim dhe i paralajmëronte se do të ndëshkoheshin. Është e paqartë për ne si kjo pjesë mbështet pretendimin që Thaçi ka kërcënuar oponentët dhe nuk ka asnjë argument që lidhet me këtë pikë”.
“Rexhep Selimi i ka thënë ZPS-së se nuk ka pasur dijeni personalisht se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së dhe thjesht ka hamendësuar, Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi të kontestojë dëshminë e Selimit”, theksoi avokati Mishetiq.
Aktualisht gjyqi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka kaluar në seancë private./Klankosova.tv
Thaçi me pozitë komanduese në UÇK? - Mishetiq: ZPS s’ka dhënë asnjë provë të besueshme
Pas një pauze të shkurtër, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi po vazhdon me deklaratat përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Lidhur me krijimin e qeverisë së përkohshme të Kosovës në atë kohë, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq deklaroi se Prokuroria e Hagës ka shtrembëruar vetë provat në dosjen e saj, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai shtoi se ZPS nuk ka dhënë asnjë provë të besueshme se Thaçi ka pasur ndikim komandues në UÇK.
S’përmbahet Mishetiq: Prokuroria e Hagës keqinterpreton provat
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, po vazhdon t’i thotë deklaratat përmbyllëse në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.
Avokati Luka Mishetiq përmend një rast ku sipas tij, Prokuroria pretendon se Thaçi ka qenë komandues i një njësie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç tha ai, as nuk ekzistonte, transmeton Klankosova.tv.
“ZPS keqinterpreton provat”, deklaroi ai.
Avokati i Thaçit: ZPS-ja është kontradiktore
Luka Mishetiq, avokati i Hashim Thaçit po vazhdon t’i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Ai vuri në pah kontradiktat që vet Zyra e Prokurorit të Specializuar, siç tha ai, ka bërë ndër vite, transmeton Klankosova.tv.
“Nga njëra anë ZPS thotë se nuk duhet të merren parasysh nga disa zyrtarë të nivelit të lartë ndërkombëtarë, ku shumica prej tyre janë thirrur nga Prokuroria, sepse gjithë këta ndërkombëtarë nuk kanë pasur informacione të disponueshme, mirëpo pretendimet e ZPS-së kundër Thaçit mbështeten kryesisht në dëshmi të zyrtarëve të lartë”, tha Mishetiq.
Ai shtoi se komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse, përndryshe, siç tha ai, ndërkombëtarët do dëshmonin ndryshe.
“ZPS-ja ka dështuar të mbledh prova që UÇK ka çuar komunikata për të cilat ngre akuza”, tha ai.
“Prokuroria kishte frikë nga përgjigjet”, Mishetiq flet ‘pa dorashka’ në Hagë
Në Hagë, po vazhdon seanca gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, ku avokati i ish-presidentit, Luka Mishetiq po deklarohet rreth fjalëve përfundimtare.
Ai thotë se Prokuroria e Hagës ka pasur frikë të bëjë pyetje ndaj disa dëshmitarëve, pasi sipas tij, është frikësuar nga përgjigjet që mund të kishte marrë, transmeton Klankosova.tv.
“ZPS ka pasur frikë që argumentet e veta t’ua tregojë dëshmitarëve”, tha Mishetiq
Mbrojtja sfidon ZPS-në: Si mund të ketë Thaçi “kontroll efektiv”, kur Milutinoviq s’kishte?

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka deklaruar se ka pika të mjaftueshme ku Prokuroria e Specializuar mund të shpall të pafajshëm ish-presidentin.
Megjithatë, para trupit gjykues, Mishetiq tha se NATO veproi më 1999 ndaj shtetit serb për luftën ndaj Kosovës, megjithëse, sipas avokatit, ZPS po kërkon që të konstatohet se ishte UÇK-ja ajo që po kryente krime, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, avokati përmendi se Milan Milutinoviq nuk u konsiderua penalisht përgjegjës për ngjarjet në Kosovë në vitet 1998-99, pasi siç tha ai, ishte një figurë politike që nuk kishte kontroll efektiv mbi forcat serbe, por shtoi se ZPS po kërkon se Thaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, ‘një grup i armatosur joshtetëror që ekzistonte vetëm prej disa muajsh, kishte kontroll efektiv dhe ishte penalisht përgjegjës’.
Avokati Mishetiq: Prokuroria po mundohet t’i largojë provat shfajësuese për Thaçin
Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, po vazhdon t’i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh në rastin ‘Thaçi dhe të tjerët’.
Gjatë deklaratës së tij, Mishetiq tha se Prokuroria po tenton t’i largojë provat shfajësuese për Thaçin, raporton Klankosova.tv.
“Prokuroria po tenton t’i largojë provat shfajësuese për Thaçin”, deklaroi avokati.
Mishetiq hodhi poshtë provat e paraqitura ku prokuroria pretendon se Thaçi ishte pjesë e “operacioneve të torturave”.
Mishetiq: Prokuroria po tenton t’i hedh poshtë dëshmitë e ndërkombëtarëve

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq po vazhdon me deklarimin e fjalëve përmbyllëse në Hagë.
Ai përmendi dëshmitë e ndërkombëtarëve si James Rubin dhe Wesley Clark, që sipas tij, tregojnë se ish-presidenti nuk ka kryer krimet për të cilat akuzohet, transmeton Klankosova.tv.
Mishetiq përmendi edhe dëshmitë e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët kanë deklaruar se Thaçi, përkundrazi ka bërë thirrje kundër dhunës.
“Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë”, citoi avokati dëshmitë e ndërkombëtarëve që ishin thirrur nga mbrojtja e Thaçit.
I shtoi se prokuroria po tenton të hedh poshtë dëshmitë e tyre.
“pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marr parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione”, tha Mishetiq.
“Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, u shpreh avokati.
Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm
Ka nisur seanca gjyqësore në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi po thotë fjalët e fundit.
Qysh në fjalën e parë, Luka Mishetiq tha se Thaçi është i pafajshëm, transmeton klankosova.tv.
“Me lejoni të them se Hashim Thaçi është i pafajshëm. Ligji juaj e prezumon atë të pafajshëm”, tha Mishetiq.
Ai shtoi se gjykata e Hagës ka dështuar të mbledhë prova për të dëshmuar fajësinë e ish-presidentit të Kosovës.
Nis seanca në Hagë: Mbrojtja e Thaçit do t’i thotë fjalët përfundimtare
Ka nisur seanca gjyqësore në gjyqin e madh në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Sot, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi do t’i thotë fjalët përfundimtare, ashtu siç prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave bën për dy ditë rresht, transmeton Klankosova.tv.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq ka deklaruar se “Do ta paraqes deklaratën përmbyllëse në gjykimin për krime lufte të klientit tim, Hashim Thaçi, (të mërkurën) në orën 9:00 sipas Kohës së Europës Qendrore (CET). Mund ta ndiqni në këtë lidhje, me një vonesë prej 45 minutash (videoja do të fillojë në orën 9:45 CET): https://streaming.scp-ks.org“.