Lajmet e fundit

Koalicioni Global kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS), është duke mbajtur takim për të koordinuar përpjekjet në mënyrë që t’i mposhtin grupet terroriste.
Samiti në Romë bashkëkryesohet nga ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio dhe homologu i tij amerikan, Anthony Blinken.
Në takim do të marrin pjesë 80 delegacione ndërkombëtare.
Ministrat do të diskutojnë se si të koordinojnë përpjekjet për të siguruar "një humbje të përhershme të Daesh (një emër tjetër për IS)" si dhe organizatat terroriste të lidhura me grupin.
Sipas koalicionit, radhët e IS janë ende të mbushura me rreth 10,000 luftëtarë të shpërndarë në Siri dhe Irak, shkruan Euronews, përcjell klankosova.tv
“Këta luftëtarë janë të aftë të ngacmojnë komunitetet e çliruara dhe kështu që mbajtja e presionit mbi ta mbetet një detyrë urgjente”, tha kryediplomati italian në një deklaratë përpara takimit.
Situata në kampe për njerëzit e zhvendosur brenda vendit, duke përfshirë edhe kampin veri-lindor të Sirisë, Al-Hol, do të diskutohet gjithashtu.
Pothuajse 62,000 njerëz jetojnë në Al-Hol, sipas UNICEF. Gati 40,000 banorë janë fëmijë sirianë ose të huaj.