Lajmet e fundit

Drejtuesit e Sindikatës së Punëtorëve të komunës së Mitrovicës, këtë të hënë kanë mbajtur protestën e tyre të paralajmëruar ditë më parë.
Qëllimi i protestës së tyre ishte kundërshtimi i Projektligjit për Pagat, pasi që shërbyesit civilë të nivelit lokal janë të diskriminuar në krahasim me ata të nivelit qendrorë, njofton Klan Kosova.
Me këtë rast punëtorët në fjalë kanë kërkuar nëpërmjet kësaj proteste nga Komisioni për Administratë Publike si dhe nga Kuvendi i Kosovës që në projektligjin nr 06/L-111 për Pagat në sektorin Publik të bëjnë sa më parë ngritjen e Koeficientit për shërbyesit civilë të Komunave.
Ata thanë se sindikata duhet të jetë më aktive lidhur me të gjitha çështjet që ju përkasin shërbyesve civil në nivel lokal.
Gjatë kësaj proteste fjalën e mori kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Komunës së Mitrovicës, Mehmet Bajrami, i cili shprehi pakënaqësitë e punëtorëve të komunës lidhur me ligjin e ri për paga i cili po diskriminon punëtorët e nivelit lokal krahasuar me ata të nivelit qendrorë.
Po ashtu Mehmet Bajrami, kryetari i Sindikatës në fjalën e tij tha se kohë më parë u janë drejtuar edhe Ministrisë së Administratës Publike ku i kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre për paga mirëpo deri më tani asgjë nuk kanë ndërmarrë, njofton Klan Kosova.