Lajmet e fundit

Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe në prani të udhëheqësve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit , në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i drejtorive komunale.
Fjalën e mori fillimisht drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, i cili i njoftoi të pranishmit lidhur me gjendjen e Muzeut të Qytetit, për të cilin tha se është duke u rinovuar tërësisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, njofton Klan Kosova.
Drejtori i Inspekcionit, Hysni Ahmeti, tha se përballë Bunjaminit në Shupkovc, është duke u krijuar një deponi ilegale për mbeturina, për të cilën theksoj se disa herë kanë ndërmarrë masa duke vendosur në atë zonë shirita, mirëpo ata prapë po punojnë në atë pjesë, kështu që u vendos që ajo pjesë të rrethohet me tel dhe ata që e shkelin edhe këtë masë do të lajmërohen në polici.
Më pas drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, kërkoi që të formohet komisioni për regjistrimin e gjithë inventarit në zyret e Komunës, me ç’rast u përzgjodhën tre shërbyes civil të stafit komunal.
Po ashtu në këtë mbledhje drejtori Gashi, foli edhe për planin e veprimit për implementimin e të gjeturave të Auditorëve të Jashtëm, ku theksoj se duhet pasur parasysh që me ligjin e ri nga ky vit secila komunë do të ndëshkohet ose të shpërblehet në buxhet komunal varësisht nga të gjeturat e Auditorit, kështu që Auditorit, duhet ti përgjigjen secila drejtori për raportin e implementimit në të kundërtën do të ketë ndëshkime.
Në fund gjatë kësaj mbledhje nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, kërkoi nga drejtoria e Inspekcionit, që të vëzhgohen të gjitha lokalet dhe të kenë parasysh rregulloren e komunës për parandalimin e pirjes së duhanit në vendet publike.
Sipas kumtesës nënkryetari Mujka, tha se duhet të kenë parasysh vërejtjen e fundit uzurpatorët e pronës komunale të cilët edhe pas lirimit të pronave prapë po i uzurpojnë të njëjtat përndryshe ndaj tyre do të hapet procedurë penale për shkak të shkeljes së vendimeve të Komunës, për uzurpim dhe shfrytëzim të palejuar të pronës komunale, njofton Klan Kosova.