Lajmet e fundit

Kolegjiumi i parë i Gjykatës Supreme për vitin 2019 është mbajtur gjatë ditës së sotme.
Aty është prezantuar Raporti Vjetor i Punës për vitin 2018 dhe është caktuar orari vjetor për vitin 2019-të.
Kryetarit i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka prezantuar para gjyqtarëve statistikat lidhur me lëndët e përfunduara, duke sqaruar njëkohësisht se krahasuar me vitin paraprak, gjatë vitit 2018, ka pasur një rritje të lehtë të ardhjes së lëndëve në gjykatë.
“Po ashtu, ka pasur një ngritje të efikasitetit, pasi gjatë vitit 2018 janë kryer 1.271 lëndë, ndërkaq janë trashëguar për vitin 2019 vetëm 100 sosh”, tha Peci.
Ndryshe gjatë takimit, , gjyqtarët kanë ngritur një varg shqetësimesh sa i përket ardhjes së lëndëve në Gjykatë Supreme nga instancat më të ulëta gjyqësore, duke pasur vërejtje në renditjen kronologjike të lëndës, në mos kompletimin e lëndës, mosrespektimin e dygjuhësisë etj.
Gjatë ditëve në vijim, dega penale dhe ajo civile e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, do të takohen ndaras për të diskutuar lidhur me kërkesat e pranuara nga kryetari për dhënie të mendimeve juridike, të cilat pritet të aprovohen në seancën e radhës.