Lajmet e fundit

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të dhjetë Përmbaruesve Privat në Kosovë.
Gjatë kësaj ceremonie, ai ka folur për rëndësinë që ka ky profesion duke kontribuar fillimisht në plotësimin e standardeve në shërbim të qytetarëve si dhe në kompletimin e arkitekturës së drejtësisë në Republikën e Kosovës.
“Duke ndërtuar sistemin e Përmbaruesve Privat, atë të Noterisë, të Ndërmjetësuesve, Administratorëve Falimentues dhe të Arbitrazhit, ne plotësojmë arkitekturën e drejtësisë që tanimë është realitet në Republikën e Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë gjyqtarëve, prokurorëve në zgjidhjen e lëndëve, por mbi të gjitha do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Kuçi në fjalën e tij ka premtuar përkrahjen e tij si Ministër i Drejtësisë, duke kërkuar nga përmbaruesit e rijnë që të respektojnë ligjin dhe të veprojnë brenda kompetencave që i parasheh ligji duke theksuar se Përmbaruesit Privat do ta kenë edhe një komision për inspektimin e punës së tyre.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe Kryetarja e Odës së Përmbaruesve Privat, . Emine Sherifi-Lubeniqi dhe anëtarët tjerë të komisionit për dhënien e provimit për Përmbarues Privat, transmeton Klan Kosova.