Lajmet e fundit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se numri i veprave penale në Kosovë ka shënuar rënie për 1.25 %.
“Kemi arritur të kemi një rënie të llojit të veprave penale, si lëndimet e rënda trupore për 4,5 %. Po ashtu vjedhjet e rënda kanë shënuar rënie për 6,76 %”.
Maxhuni këto deklarata i ka bërë derisa ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për raportin vjetor të punës për vitin 2017, njofton Klan Kosova.
Ai ka thënë se në vitin 2017 ka pasur një vrasje më shumë se në vitin 2016 derisa ka treguar edhe sa persona janë ndaluar e arrestuar po gjatë këtij viti.
"Edhe përkundër një mori masash që ne kemi marrë, kemi një ngritje të lehtë të vrasjeve, kemi një vrasje më shumë se vitin paraprak. Viti 2017 është përmbyllur me 25 vrasje”.
“Kemi ndaluar 3100 persona për shkak të dyshimit për përfshirje të veprave penale. Vërehet një ngritje e personave të arrestuar për 10.74 %”.
I pari i Policisë ka deklaruar në këtë raportim se aksidentet me pasoja fatale kanë shënuar rënie prej 24,54 %.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në raportimin e tij ka treguar edhe për operacionet në fushën e trafikimit me qenie njerëzore.
“Kemi pasë operacione dhe plane konkrete në fushën e trafikimit me qenie njerëzore. Janë 159 raste, 130 raste janë të reja. Janë neutralizuar tri grupe kriminale derisa janë identifikuar 33 viktima”.