Lajmet e fundit

Presidentja Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e Mauritanisë në Itali, jorezidente për Kosovën, Mariem Aouffa, e cila i dorëzoi letrat kredenciale.
E para e shtetit e uroi ambasadoren Aouffa për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të saj si ambasadore jorezidente e Mauritanisë në vendin tonë.
Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet midis Kosovës dhe Mauritanisë, ndërkohë që theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vende në të gjitha fushat me interes bilateral.
Nga ana e saj, ambasadorja Mariem Aouffa shprehu gatishmërinë e institucioneve të Mauritanisë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në çdo sferë me interes për të dyja vendet, transmeton Klan Kosova.