Lajmet e fundit

Në vend që të vinin në shkolla mëngjesin e së premtes ia mësynë Komunës.
Qindra maturante të tri shkollave të mesme të Podujevës - Gjimnazit “Aleksandër Xhovani”, Shkollës Teknike “Fan S. Noli” dhe asaj të Ekonomisë “Isa Boletini” - u mblodhën atje për të kundërshtuar vendimin që ua ndaloi shkuarjen për ekskursion në Shqipëri.
Mospajtimin e shprehën edhe duke gjuajtur mjete piroteknike.
Por, që këtu ndërhyri policia duke i kapur dy prej tyre ndaj të cilëve shqiptoi gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Është bërë me idenë që me qenë paqësore, por kanë ndodhur gjëra që ne nuk i kemi në kontrollë të gjithë nxënësit, dhe ka ndodhur që janë përdorur mjete piroteknike”, deklaroi Olta Sheholli, njëra nga organizatoret e protestës.
Për ndalesën e tyre, sipas zëvendësdrejtoreshës së Gjimnazit “Aleksandër Xhovani” Fatmire Fusha, vendosën disa institucione.
Këtë e konfirmuan për Klan Kosovën edhe Drejtori i Arsimit në komunën e Poduejvës Avni Fetahu, por edhe përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve Merita Restelica.
Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, përmes një konference të premten bëri të ditur se ekskursionet lejohen, por që është çështje e shkollave nëse vendosin të organizohen ose jo.
Pavarësisht kësaj nxënësit e këtushëm paralajmëruan se nuk do të ndalojnë me kaq dhe do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e kërkesës.