Lajmet e fundit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në tryezën për mjedisin dhe shëndetin me fokus në ndotjen e ajrit, në kuadër të projektit "Një Kosovë më e shëndosh", e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Me këtë rast, Matoshi tha se ndotja e mjedisit është rrezik për shëndetin e njerëzve, por edhe të kafshëve e bimëve, andaj sipas tij duke pas parasysh gjendjen në të cilën është Kosova, MMPH-ja ka ndërmarrë disa masa për të ndaluar ndotjen e ajrit.
“ Jam i lumtur që përgjatë kësaj qeverie është arritur që të ndërmerren disa hapa konkret siç janë ndalimi i përdorimit të thëngjillit në institucione publike dhe në shkolla. Kemi ndërprerë një praktikë të mbi 3 mijë punëtorëve të KEK-ut, tu japim thëngjill falas. Kemi pasur një aksion së bashku me Policinë e Kosovës ku kemi sekuestruar disa kamion me thëngjill që janë shitur ilegalisht në Prishtinë dhe Fushë Kosovë”, tha Matoshi.
Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili tha se institucione e vendit, së bashku mund të ja dalin në përmirësimin e cilësisë së ajrit e që kjo ndikon në shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Kurse, koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson tha se temat që kanë të bëjnë me mjedisin dhe shëndetin janë shumë urgjente dhe të rëndësishme.
" Është shumë i rëndësishëm ky partneritet multi-sektorial për të trajtuar një temë kaq të madhe që ka të bëj me mjedisin dhe shëndetin", tha Richardson.
Gjatë kësaj tryeze, i pranishëm ishte edhe Oliver Shmoll nga Organizata Botërore e Shëndetësisë i cili ka prezantuar një raport për mjedisin dhe shëndetin në Rajonin Evropian të OBSH-së si dhe vlerësimin e ndikimit të cilësisë së ajrit dhe shëndetit.
Po ashtu gjatë kësaj tryeze u shfaqën prezantime edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Shëndetësisë./klankosova.tv/