Lajmet e fundit

Gjasat e Shqipërisë për t'u kualifikuar në raundin e ri të EURO 2016 nuk janë të mëdha. Por as të vogla. Gjithcka varet nga performanca e klubeve në grupet tjera.
Siç dihet tashmë, në fazën tjetër shkojnë ekipet e para dhe të dyta të gjashtë grupeve, dhe katër nga gjashtë ekipet që zënë vendin e tretë, me rezultatin më të mirë.
Deri në këtë fazë, Shqipëria, si e treta në grupin A, e ka humbur garën me të tretin e grupit B, që është Sllovakia. Kombëtarja e Marek Hamshik ka 4 pikë pas tri ndeshjeve, ndërsa ajo e Lorik Canën ka 3 nga po aq takime.
Shqipëria duhet të kërkojë fatin te grupet C, D, E dhe F.
Por cilat janë gjasat për të qenë më e mirë se ekipet e treta në këto grupe. Klan Kosova ka bërë një analizë të situatës në gjithsecilin grup.
Te "C"-ja, Shqipëria lufton me Irlandën e Veriut. Kjo kombëtare aktualisht ndodhet në vendin e tretë, me po aq pikë dhe golaverazh +1, për dallim nga Shqipëria që e ka - 2. Ndeshjen e fundit Irlanda Veriore e zhvillon me Gjermaninë. Cfarëdo rezultati tjetër, pos humbjes me katër gola dallim nga panzerët, është në dëm të Shqipërisë. Pra, një situatë jo shumë shpresëdhënëse për kuqezinjtë. Këtu është zor të besohet se Ukraina, si e fundit në grup, pa asnjë pikë, mund të bëjë ndonjë befasi e ta mposht Poloninë e vendit të dytë më 4 pikë. Ukrainasve u duhet të fitojnë me të paktën 4 gola diferencë për ta larguar Irlandën e Veriut nga pozita numër 3.
Gjasat më të mira janë për t'u "ballafaquar" me Republikën Ceke dhe Turqinë e grupit D, kosntaton Klan Kosova. Para ndeshjes së tretë, cekët ndodhen në vendin e tretë, me 1 pikë, kurse turqit janë të fundit, me dy humbje dhe zero pikë. Këto dy kombëtare ndeshen mes vete, në takimin më të rëndësishim të këtij grupi për shqiptarët. Një barazim do të ishte perfekt, pasi asnjëra ekipë nuk do të arrinte në kuotën e tri pikëve, sa ka Shqipëria. Në rast se Republika Ceke fiton, atëherë djemtë e Gianni De Biassit nuk kanë asnjë gjasë për të shkuar më tej. Pos barazimit, edhe fitorja e Turqisë, me më pak se 2 gola dallim, i bën favor shqiptarëve.
Te grupi E Shqipëria duhet të shpresojë shumë që Italia e Belgjika të bëjnë lojë të mirë. Nëse këto dy ekipe fitojnë, atëherë kuqezinjtë kanë shumë gjasa për të shkuar më tej, pasi mbesim më të mirë se pozita e tretë në këtë grup, që mund të kapet nga Suedia ose Republika e Irlandës. Italia nuk duhet të humb assesi kundër irlandezëve, sepse kështu i hedh ne Adriatik mundësitë e fqinjve të vetë lindorë. Ndeshje me rëndësi këtu është ajo mes Suedisë e Belgjikës. Zllatan Ibrahimoviq me shokë ndodhen në vendin e tretë, me 1 pikë dhe golaverazh -1. Eden Hazard & Co janë të dytët, me 3 pikë dhe golaverazh +1. Fitorja e suedezëve është e dëmshme për shqiptarët. Pra, me fjalë tjera, barazimi këtu, ose humbja e Suedisë, por edhe barazimi dhe humbja e Republikës së Irlandës në ndeshjen me Italinë, pothuajse e shpiejnë Shqipërinë e fazën tjetër.
Në grupin F ka një situatë interesante. Fitorja potenciale e Hungarisë karshi Portugalisë, me shumë gjasa, e dërgon Shqipërinë në fazën tjetër. Kjo pasi Cristiano Ronaldo me shokë do të mbeteshin me vetëm 2 pikë. Rezultati i takimit tjetër nuk do të kishte kurrfarë ndikimi, pasi në secilin rast, njëra nga dy kombëtaret, Islanda ose Austria do të mbeteshin me më pak pikë së Shqipëria. Islanda ka 2 pikë, si e dyta në grup, kurse Austria është e fundit, me vetëm 1.
Por, në rast të fitores së Portugalisë, Shqipëria humb të gjitha gjasat për të dalë më mirë se ekipi që në grupit F kap pozitën e tretë. Në qoftë se kjo ndeshje kryhet në paqe, Hungaria do të mbetej e para me 5 pikë, kurse Portugalia arrin në 3 pikë, që pavarësisht se a del e dyta apo e tretë në grup, kualifikohet para Shqipërisë, pasi ka golaverazh më të mirë. Cilido rezultat në ndeshjen tjetër, Islandë-Austri, do ta vendoste, të paktën në pozitën 3, një ekip, që të paktën ka 3 pikë dhe golaverazh më të mirë se Shqipëria, përsëri. Nëse fiton, Islanda do të bënte 5 pikë, e në rast të barazimit, kjo kombëtare hyp në 3 pikë, sa Shqipëria, por meqë i ka tri barazime, atëherë kjo nënkupton që ka golaverazh plus-minus, më mirë se Shqipëria.