Ministria e Arsimit, ka shprehur shqetësimet për njoftimet e raportuara në media se subjekti politik, “Lëvizja Vetëvendosje”, ka paralajmëruar Protestë të nxënësve në Komunën e Prishtinës, duke marrë shkas nga vdekja tragjike e një të riu në rrethana ende të pandriçuara.
"Në shtetin tonë demokratik e drejta e protestës dhe reagimit qytetar është e garantuar dhe secili mund t’i manifestojë shqetësimet dhe kërkesat e veta, por në një shoqëri dhe rend demokratik, subjektet politike duhet ta bëjnë diferencën dhe të mos i instrumentalizojnë nxënësit për hesape politike".
"Shkollat janë institucione të dijes dhe të edukimit dhe askush nuk ka të drejtë ligjore të abuzojë me nxënës.
Përfshirja e nxënësve në aktivitete të kësollojshme cënon të drejtat e fëmijëve dhe përbën shkelje të parimeve të Ligjit për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës dhe të konventave ndërkombëtare", .
MAShT fton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe drejtorët e shkollave që t’i përkushtohen punës dhe misionit për mësim cilësor dhe vlera humane.
Poashtu kjo ministri fton "Lëvizjen Vetëvendosje" që të reflektojë në interes të nxënësve dhe të mos ushtrojë presion tek ta por, agjendat politike t’i adresojë dhe manifestojë në formë demokratike e institucionale, transmeton Klan Kosova.