Lajmet e fundit

Testim nuk do t’u bëhet, por performanca do t’u vlerësohet, e madje në bazë të saj mësimdhënësit do të shpërblehen.
Madje për mësuesit e të gjitha komunave do të krijohen edhe biblioteka. Derisa programit për përgatitjen fillestare të tyre do t’i përmirësohet cilësia.
Në fakt, këto janë disa nga qëllimet strategjike të ministrisë së arsimit, që janë përfshirë në një draft dokument të programit qeveritar të këtij dikasteri, e të cilin e ka siguruar Klan Kosova.
I njëjti dokument parasheh edhe shujtën falas për të gjithë nxënësit kosovarë të nivelit 1-5 dhe ndërtimin e çerdheve. E në këto të fundit planifikohet gjithëpërfshirje derisa familjet në nevojë do të lirohen nga pagesa.
Mbështetje financiare plani qeverisës për arsim garanton edhe për fëmijët rom, ashkali e egjiptas.
Në plan është edhe përmirësimi i menaxhimit të provimit të maturës dhe testit të arritshmërisë, derisa në krejt sistemin arsimor parashihet transformimi digjital i materialeve mësimore.
Politika tjera sipas këtij dokumenti që nuk është final janë: miratimi i ligjit për arsimin e lartë, miratimi i ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, për tekste shkollore, ai i strategjisë për digjitalizimin e sistemit të arsimit si dhe miratimi i ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme.
Përveç kësaj janë planifikuar edhe disa objektiva, siç janë: krijimi i këshillit të ekspertëve për arsimin e lartë , rishikimi i normativit për personelin arsimor dhe rritja e numrit të grave në pozita udhëheqëse.
Në arsimin e lartë gjithashtu parashihet të vihet kontrolli anti-plagjiaturë.