Lajmet e fundit

Dita e sotme nuk dha lajme të reja sa i përket masave, veç se këto do të behën të ditura përgjatë fundjavës së ardhshme.
Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e la të paqartë se a do të ketë zbutje apo shtrëngim të masave.
“Lirim të masave nuk do të ketë, nëse e quajmë diçka shtrëngim apo kufizim, por jemi të kujdesshëm, jemi duke i analizuar situatat ku mund të ketë lëvizje, ku mund të ketë shtrëngime, në dukje të krejt asaj që të mos kemi grumbullim të njerëzve”, tha Zemaj.
E sot në një konference për media u bë me dije edhe rangimi i ri i komunave nëpër zona.
“11 komuna janë në zonën e kuqe prej 16 sa ishin javën e kaluar, 11 komuna në zonën e verdhë dhe 16 në të gjelbrën”, njoftoi Zemaj.
Nga kjo paraqitje e krerëve shëndetësore u treguan shifrat edhe sa i përket mësimdhënësve të prekur nga koronavirusi dhe të nxënëseve përgjatë këtij gjysmë vjetori të parë, ku nga 15 shtatori deri më tani janë testuar 10.823 mësimdhënës, prej tyre 1.615 kanë rezultuar pozitivë dhe nga 6.792 nxënës të testuar – 1.173 nga ta kanë dalë pozitivë.
Ndërsa gjatë 24 orëshit të fundit u treguan shifrat sa i përket situatës epidemiologjike, ku u raportuan 385 raste të reja dhe 7 vdekje nga COVID-19.
Përkundër trendit të rënies së numrave të të prekurve, situata nëpër spitale thuhet se është ende e rënduar. Aktualisht po trajtohen 795 pacientë, 51 prej tyre në gjendje kritike.