Lajmet e fundit

Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur marrëveshje për demarkacionin dhe atë para 20 ditësh, mirëpo, ujdia po mbahet e fshehur nga publiku.
Kështu shkruan në numrin e së dielës, gazeta malazeze "Vijesti" duke u thirrur në burime të veta, transmeton Klan Kosova.
Sipas gazetës, marrëveshja bazohet në kufijtë e vitit 1974, e sipas të cilëve, pjesa e lokalitetit Kulla te Rozhaja, dhe hapësira e Rugovës nën Çakor në komunën e Plavës i mbetet Malit të Zi.
Banorët dhe një pjesë e opinionit publik kosovar kanë insistuar vazhdimisht që kjo pjesë, t'i takojë Kosovës.
Gazeta bën me dije se komisioni për caktimin e kalimeve kufitare i Malit të Zi dhe komisioni për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit i Kosovës, e kanë parafuar marrëveshjen diku në Shqipëri, por ende nuk e kanë bërë publike.
E kjo, sipas Vijesti, ka ndodh me vendimin e të dy qeverive.
Burimi i gazetës, ka thënë se marrëveshja u bazua në shënimet kadastrale të bëra në Kosovë qysh në vitin 1932, e sipas të cilave, rreth 6.000 hektarë tokë për të cilat po insiston një pjesë e kosovarëve, ishte regjistruar si pronë e Malit të Zi.
Kjo marrëveshje, për aq sa është i besueshëm burimi i Vijestit, po del të jetë arritur para se Kuvendi i Kosovës të mblidhej më 25 qershor ku ftoi në interpelancë ministrin e punëve të jashtme Hashim Thaçin dhe miratoi një rezolutë me të cilën do të insistonte që vija kufitare të mbetet ajo e kushtetutës së vitit 1974.
Në seancë nuk u përmend arritja e një marrëveshje mes dy shteteve.