Lajmet e fundit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se në tryezën për demarkacionin që do të mbahet nesër, edhe një herë do të dëshmohet se marrëveshja e 26 gushti e nënshkruar nga Hashim Thaçi është tradhti ndaj vendit dhe ia fal Malit të Zi mbi 8 000 hektarë të territorit të Kosovës.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka vlerësuar se argumentet të cilat do të paraqiten në këtë takim do të jenë të bazuara në metoda shkencore, e jo në metodën kadastrale që e ka përdorur deri tash Komisioni Shtetëror për Demarkacion.
“Ka vite që Lëvizja Vetëvendosje! ka paralajmëruar rrezikun që vjen nga demarkacioni me Malin e Zi".
"Kundërshtimin tonë më intensiv e kemi nisur pas 26 gushtit. Në këtë tryezë edhe një herë do të dëshmohet se marrëveshja e 26 gushti e nënshkruar nga Hashim Thaçi është tradhti ndaj vendit dhe ia fal Malit të Zi mbi 8 000 hektarë të territorit të Kosovës”, është shprehur Haxhiu. Megjithatë, ajo ka thënë se as pas mbajtjes së kësaj tryeze e as pas paraqitjes së argumenteve nuk do të ketë reflektim të Qeverisë dhe liderëve shtetërore.