Rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", Marjan Dema, ka thënë se gjatë këtij viti të gjithë fëmijët e dëshmorëve do të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës.
Ai në një intervistë për Gazetën "Fjala" ka bërë me dije se fëmijët e dëshmorëve nuk do të mbesin jashtë UP-së, siç pati vendosur ish-rektori i UP-së Ramadan Zejnullahu.
"Do të bëjë çmos që mos t’i lë jashtë universitetit. Garantoj që nëse do ta kem hapësirën më të vogël do t’i pranoj ata. Ajo kategori e meriton që të jetë pjesë e UP-së. Por të jemi të qartë këta fëmijë nuk do të mund të hyjnë në ato fakultete ku është konkurrenca shumë e madhe. Fëmijët e dëshmorëve nuk do të mbesin jashtë UP-së”, ka thënë Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".
Dema ka theksuar se ai do t'i bëjë gjërat më ndryshe sesa rektorët e tjerë.
"Do të bëjë shumëçka ndryshe. Fillimisht nuk do të merrem me individ. Do të jem i hapur për të gjithë, kushdo që dëshiron bashkëpunim unë do të jem i hapur për të. E dyta, do të jemi shumë rigoroz në zbatimin e statutit të Ligjit për arsimin e lartë, gjithmonë në harmoni me agjendën evropiane në arsimin e lartë. Transparencën të cilën nuk e ka implementuar askush do ta implementojmë ne", ka thënë ndër të tjera ai.