Lajmet e fundit

Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal Lubomir Mariq si duket nuk i ka pëlqyer fakti që Kuvendi Komunal i Malishevës me 29 shtator të këtij viti kishte nxjerrë një deklaratë në kundërshtim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e njohur me emrin” Zajednicë”.
Për deklaratën e cila ishte iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje kishin votuar të gjithë asamblistët prezentë nga NISMA dhe AAK kurse sallën e kishin lëshuar në shenjë kundërshtimi asamblistët e LDK-së dhe PDK-së.
Përmes shkresës dërguar Kryetarit të Malishevës Ragip Begaj dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal Aziz Thaçi, Ministri Mariç fillimisht ka konstatuar se vendimi i datës 29.09.2015 i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Malishevës, nuk prodhon efekt juridik dhe nuk është në kompetencë të Kuvendit të Komunës. Kurse ka kërkuar nga komuna që ta rishqyrtojë çështjen në fjalë në afat prej 30 ditësh.
Muaj më parë Kuvendi Komunal në mënyrë të njëjtë kishte pranuar një shkresë nga MAPL ku i kërkohej që të hiqej fjala UÇK nga statuti i komunës. Ishte këmbëngulja e disa asamblistëve që kishte bindur edhe të tjerët që ky presion nga Ministria mos të pranohej./Malishevapress/.